Njeriu i Putinit del “investitor strategjik” i Ramës, ja çfarë përfitoi në Shqipëri biznesmeni rus

Oligarku i fuqishëm rus, Oleg Deripaska, i cili u bë shkak për arrestimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI në SHBA para dy ditësh, Charles McGonigal rezulton të ketë investuar dhe në Shqipëri.
Pavarësisht se që prej vitit 2018 është shpallur “non grata” nga SHBA për mbështetjen e aneksimit rus të Krimesë në 2014 dhe në 2022 nga Britania e Madhe për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, qeveria shqiptare, madje vetë kryeministri Edi Rama nuk ka nguruar ta shpallë “investitor strategjik” në 2018 për ngritjen e një plantacioni frutikulturë në Karavasta të Divjakës me vlerë rreth 6 milionë euro.
Po ashtu, në 2017, miliarderi i fuqishëm i aluminit dhe metaleve të tjerë fitoi tenderin me vlerë 20 milionë euro për ndërtimin e Hidrocentralit të Shushicës. Në të dyja rastet, miku i presidentit rus Vladimir Putin, dhe i cilësuar dikur si sipërmarrësi më i fuqishëm i Rusisë, rezulton përfitues fundorë në këto dy projekte.
Pozita e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë shqiptare është rënduar shumë në këto momente duke patur parasysh furtunën e akuzave ndaj PD se është financuar nga Rusia në 2018.
Kjo histori po konsiderohet nga opozita si një kurth i ngritur nga vetë Rama me McGonigal, ish-agjentin sekret Agron Neza dhe ish-zv/ministrin e Energjisë Dorian Duçka për të krijuar historinë e kundërvënies së PD ndaj SHBA, partnerit strategjik të Shqipërisë.
Rama dha tender 6 milionë euro për projektin e frutikulturës në Karavasta në 2018
Në 19 prill 2018, Komiteti i Investimeve Strategjike, i kryesuar sipas ligjit nga kryeministri Edi Rama i dha statusin e “investitorit strategjik” për miratimin e investimit për “ngritja e plantacionit me shegë, goji berry, avokado dhe finger lime në zonën e Karavastasë, bashkia Divjakë”.
Projekti do të realizohej në 800 ha tokë dhe vlera e investimit do të ishte 6.6 milionë euro (saktësisht 6.627.000 euro ose 6 miliard lekë). Për këtë projekt ka aplikuar shoqëria “Agro Iliria Group” sh.p.k. Ky projekt duhej të realizohej brenda 3 viteve. Jo vetëm kaq, por Rama dhe ministrat e tij të kohës vendosën që kompania shqiptare të firmosë me shoqërinë e huaj “Trema Engineering 2”.
Sipas kushtit të vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, “Trema Engineering 2” do të kryejë investimin financiar si dhe do të angazhohet për përfshirjen e palëve të tjera me qëllim finalizimin me sukses të këtij projekti. Vetë kryeministri Rama e ka firmosur këtë vendim.
Braçe dhe Rama i japin “TM2” dhe 131 ha ekstra në Karavasta në 2021
Por, pas mëse 3 vitesh, qeveria Rama merr një tjetër vendim në favor të kompanive “Agro Iliria Group” dhe “Trema Engineering 2” për projektin e frutikulturës në Divjakës. Në mbledhjen e qeverisë në 30 korrik 2021, zv/kryeministri Erion Braçe, nëpërmjet porosisë së shefit të tij Edi Rama firmosi VKM që këtyre dy kompanive t’u ofrohen dhe 131 ha tokë në Karavasta me qëllim zhvillimin e agroturizmit, përveç frutikulturës.
Hidrocentrali i Shushicës në 2017 me vlerë 20 mln euro, fiton “Trema Engineering 2”
Në 10 mars 2017, “Trema Enginnering 2”, “GR ALBANIA”, “Alb-Star” sh.p.k. fitoi nga qeveria tenderin për “ndërtimin e Kaskadës së Hidrocentraleve mbi Lumin Shushicë, të tipit BOT, (Ndërto-Opero-Transfero). Prodhimi, transmetimi dhe shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga Kaskada e HEC mbi Lumin Shushicë Shfrytëzimi dhe mirëmbajtja e kaskadës si me sipër gjatë periudhës konçesionare”.
Ky koncesion u dha për 35 vite, ndërsa kontrata mes qeverisë dhe përfituesve të kësaj PPP u firmos në 14 shtator 2017. Vlera e këtij investimi madhor do të kushtonte rreth 2 miliard lekë (saktësisht 2.433.789.054 ose 20 milionë euro).
Deripaska pronar përfitues i “TM2” që në 2007, iku në 2021
Sipas “opencorporates.al” oligarku 55-vjeçar rus rezulton pronar përfitues pasi zotëron 25.9% të kapitalit të kompanisë së huaj “STRABAG AG”, si dhe ortak i vetëm i shoqërisë “Trema Engineering 2”. Ai del pronar përfitues që prej vitit 2007. Në 31 maj 2021, ai regjistrohet si pronar përfitues i “Trema Engineering 2” dhe në 1 korrik 2022, ai largohet si pronar përfitues i kësaj kompanie dhe regjistrohen dy të tjerë, Hans Peter Haselsteiner dhe Klemens Peter Haselsteiner. Kujtojmë që regjistrimi si pronar përfitues në Shqipëri i “Trema Engineering 2” rezulton pikërisht në kohën kur qeveria e Ramës dha statusin e “investitorit strategjik” “Agro Iliria Group” dhe “Trema Engineering 2” për projektin e frutikulturës në Karavasta. Ajo ç’ka rëndon akoma më shumë pozitën e qeverisë socialiste është fakti se bosi i prodhimit dhe tregtimit të metaleve nga Rusia e ka përfituar këtë projekt në kohën kur ishte shpallur “non grata” nga SHBA.
Arrestimi i ish-agjentit të FBI, DASH: Nuk komentojmë, flasin vetë dokumentet
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk pranoi të përgjigjej për aktivitetet e ish-agjentit të FBI në Nju Jork, Charles McGonigal në Shqipëri, i cili përflitet se ka marrë 225 mijë dollarë me porosi të Ramës, madje dhe ka ardhur vetë në Shqipëri. Për pyetjen e “Vizion Plus”, dikasteri në varësi të DASH, Departamenti Amerikan i Drejtësisë deklaroi se gjithçka është e qartë sipas dokumenteve të publikuara prej tij.
“Në praktikën e tij, Departamenti i Drejtësisë nuk komenton në lidhje me një çështje aktive gjyqësore apo për komunikimet me qeveri të tjera për rastet hetimore. Kësisoj, edhe për pyetjet në fjalë nuk mund të ketë një përgjigje tjetër përveç dokumentave që tashmë janë publike”, thuhet ne reagim.