Nëna e Monika Kryemadhit paraqitet në SPAK

Aktualitet

Nëna e Monika Kryemadhit paraqitet në SPAK

Pas të bijës e cila u paraqit sot në SPAK, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ka shkuar këtë të hënë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.

E ëma e Kryemadhit  nuk ka preferuar të prononcohet për gazetarët, të cilët para se të hynte në SPAK e pyetën atë se cila ishte arsyeja që ajo është thirrur në SPAK.

Kujtojmë se më 17 dhjetor të vitit të kaluar Apeli i GJKKO-së prishi pjesërisht vendimin e GJKKO duke i hequr sekuestron e vilës së nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sakaq Apeli i GJKKO la nën sekuestro vila e deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi.

Më 20 tetor 2024 Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi sekuestrimin e dy pasurive të paluajtshme në pronësi të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi në vendin e njohur si “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Sipas SPAK, kjo masë erdhi si vijim i hetimeve të filluara në vitin 2022 ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë dhe ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta e ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për dy prona të zotëruara nga Monika Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi. Konkretisht, u sekuestruan dy vila me sipërfaqe të njëjta, me katet përdhese prej 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë; katet e para janë nga 79 m2; katet e dyta me sipërfaqe 51 m2 dhe verandë 27.9 m2 dhe katet nëntokë me nga 139 m2 secila.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me bizmesmenin Samir Mane, për marrjen përsipër të ndryshimit në favor të tij, të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Ai u arrestua bazuar në rezultatet e këtyre hetimeve dhe gjendet në paraburgim. Meta i ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë në gjykatë.
Akuza të ngjashme ka ngritur SPAK edhe ndaj deputetes Monika

Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci. Kryemadhi po hetohet në gjendje të lirë.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet detyrim paraqitje për akuzën e korrupsionit pasiv. Në të njëjtën masë sigurie po hetohet për pastrim parash edhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së

ME TE LEXUARAT