“Mirëmbajtja Rrugore”, si kamufloheshin trafikantët e armëve që u zbuluan në “Myslym Shyri”! Do përdoreshin në ngjarje kriminale

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 34-vjeçar mesditën e djeshme, pasi dyshohet se zotëronte një arsenal armësh dhe pajisje të kundërligjshme. Eugert Sino dyshohet se i kishte fshehur armët, të cilat mendohet se janë të trafikuara. Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh dhe pajisjesh ushtarake.
Policia ka publikuar pamje nga Arsenali i plotë i armëve të zbuluara ditën e djeshme në zonën e Myslym Shyrit. Në pamje shihet se janë gjithsej 23 armë, mes tyre sniper, municion luftarak dhe uniforma policie.
“Gjatë operacionit “The Van” u sekuestruan 23 armë zjarri (prej të cilave 5 snajperë), 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma të ngjashme me ato të Policisë, si dhe sende të tjera të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e bluve.
Mësohet se furgoni kishte më shumë se një muaj i parkuar në zonë, ndërsa prej një muaji ai ruhej me efektivë civilë në mënyrë që të zbuloheshin individët që do të hynin në të.
Fillimisht është ndërhyrë nga Policia Rrugore, si një manovër e agjentëve të policisë, me argumentin se kishte bllokuar rrugën dhe sapo janë konstatuar armët është bërë ndërhyrja nga agjentët e krimeve.
Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, një kamuflim duket ky nga trafikantët është në emër të të arrestuarit Eugert Sino. Ky i fundit i marë mbrëmjen e djeshme në pyetje nga policia ka mohuar të ketë lidhje me armët me argumentin se nuk ka djeni kush i ka futur aty, në një kohë që furgoni qëndronte i parkuar pranë banesës së tij.
Kujtojmë se sipas informacioneve arsenali i armëve dyshohet se vjen nga Kosova dhe ishin planifikuar të përdoreshin në ngjarje kriminale nga një grup kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel.
Hetuesit kanë zbuluar, përveç automjetit që u kap në zonën e “Myslym Shyrit”, edhe bazën kryesore të grupit, ku mbaheshin armët, në po të njëjtën zonë në afërsi.
Armët e kapura janë relativisht të reja, dhe dyshohet se janë trafikuar nga Kosova, por nuk kanë lidhje me goditjet e mëparshme që janë bërë për trafik armësh. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë pjesë e rrjetit.
I arrestuari Eugert Sino, rezulton me precedent të mëparshëm për vepra penale të ndryshme.


