Çmimet e telefonisë/ Pse Shqipëria paguan më shumë se fqinjët

Shqipëria ka koston më të lartë në Ballkanin Perëndimor për paketën bazë të internetit celular, krahasuar me nivelin e të ardhurave të popullsisë.
Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), të cituara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kosto mesatare mujore e paketës bazë të internetit në Shqipëri për vitin 2025 ishte 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI) — niveli më i lartë në rajon dhe dukshëm mbi mesataren botërore, që qëndron në 1.38%.
Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut, me 1.31% të GNI, Bosnja dhe Herzegovina me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia me 0.96%. Për Kosovën, ITU nuk disponon të dhëna.
Vendi mbetet ndër më të shtrenjtët edhe te paketa e komunikimit me përdorim të lartë, që përfshin 140 minuta, 20 SMS dhe 5GB internet. Për këtë paketë, Shqipëria zë vendin e dytë në rajon me kosto 1.95% të GNI, pas Maqedonisë së Veriut, që regjistron 2.1%. Më pas vijojnë Bosnja (1.86%), Serbia (1.49%) dhe Mali i Zi (1.01%), ndërsa mesatarja botërore për këtë paketë është 1.54%.
Sipas metodologjisë së ITU, përballueshmëria e shërbimeve vlerësohet duke krahasuar koston e shportave standarde të TIK me të ardhurat kombëtare bruto për frymë, ku pragu i referencës për shërbimet bazë është 2% e GNI. Bazuar në këtë kufi, AKEP vlerëson se shërbimet celulare në Shqipëri mbeten përgjithësisht brenda kufijve të përballueshmërisë, pasi shportat me konsum të ulët dhe të lartë qëndrojnë nën ose pranë pragut prej 2%.
Pak më ndryshe paraqitet situata te interneti me fibër (broadband fiks), që ka njohur një përmirësim të lehtë: kostoja e tij ka rënë nga 2.31% e GNI në 2024, në rreth 2.08% në 2025, duke u afruar gradualisht te niveli i konsideruar i pranueshëm.
Rritja e çmimeve të telefonisë celulare në Shqipëri nuk është e rastësishme. Ajo ka nisur pas vitit 2023, periudhë që përkon me ndryshimin e strukturës së tregut, i cili u përqendrua në vetëm dy operatorë. Më parë, tregu kalonte nëpër disa vite me konkurrencë të ashpër mes operatorëve, që solli fitime të dobëta dhe, në disa raste, edhe çmime grabitqare. Me kalimin në një strukturë duopol, operatorët kanë pasur më shumë hapësirë për të korrigjuar çmimet dhe për të përmirësuar treguesit e tyre financiarë — një lëvizje që, sipas të dhënave, po e bën internetin celular në Shqipëri më të kushtueshëm se kudo tjetër në rajon.


