Lajmi i rremë për vdekjen e babait të Messit i kushton karrierën prezantueses argjentinase

Prezantuesja televizive argjentinase Florencia Pena ka dhënë dorëheqjen pasi raportoi gabimisht se babai i Lionel Messit, Jorge, kishte vdekur.
51-vjeçarja bëri deklaratën e gabuar për Jorgen, 68 vjeç, teksa drejtonte emisionin "El Show del Verano" në Luzu TV.
"I kërkoj falje familjes Messi për momentin e tmerrshëm që imagjinoj se po kalojnë. Më vjen thellësisht turp që kam qenë shkaku i kësaj dhimbjeje," tha ajo.
Pena sqaroi se informacioni i gabuar i ishte dhënë gjatë transmetimit nga ekipi i redaksisë, gjë që u konfirmua më pas edhe nga vetë prodhuesit e programit, por pranoi se e ka besuar dhe e ka përcjellë në ekran. "Marr mbi vete të gjithë përgjegjësinë," theksoi ajo.
"Nuk ndihem mirë, ka qenë dhe vazhdon të jetë një moment shumë i vështirë për mua. I kërkoj falje familjes Messi dhe të gjithë atyre që janë ndjerë të prekur ose të lënduar nga kjo situatë," përfundoi prezantuesja, duke dhënë më pas dorëheqjen nga emisioni.


