Linjë e re ajrore me Rumaninë, TAROM nis fluturimet në TIA

Tirana International Airport (TIA) mirëpriti sot fluturimin inaugurues të kompanisë ajrore TAROM, duke shënuar nisjen e një partneriteti të ri dhe fillimin e operimeve të kompanisë në aeroportin e Tiranës.
Linja e re do të operojë me 1 fluturim në javë, çdo të mërkurë, gjatë sezonit veror, duke forcuar lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Rumanisë dhe duke krijuar mundësi të reja për udhëtime, turizëm dhe bashkëpunim ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Prania e TAROM në TIA përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të partnerëve ajrorë të aeroportit dhe në rritjen e aksesit drejt tregut rumun. Kjo linjë pritet të kontribuojë në sjelljen e më shumë vizitorëve në Shqipëri, duke mbështetur zhvillimin e turizmit dhe duke promovuar vendin si një destinacion gjithnjë e më tërheqës për udhëtarët ndërkombëtarë.
Për të shënuar këtë moment, në aeroport u organizua një ceremoni simbolike mirëseardhjeje për ekuipazhin dhe pasagjerët e fluturimit të parë.

TIA vijon të zgjerojë rrjetin e partneriteteve me linjat ajrore, duke forcuar rolin e saj si porta kryesore e Shqipërisë drejt Europës dhe më gjerë.
Rreth TAROM
TAROM është kompania kombëtare ajrore e Rumanisë dhe një nga linjat ajrore me traditën më të gjatë në Europën Juglindore, duke lidhur Rumaninë me destinacione të shumta në Europë dhe rajon.
Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të përjetojë rritje të qëndrueshme, duke zgjeruar rrjetin e partnerëve ajrorë dhe destinacioneve, si dhe duke investuar në infrastrukturë, teknologji dhe përvojën e pasagjerëve. Si porta kryesore e Shqipërisë, TIA luan një rol kyç në mbështetjen e turizmit, zhvillimit ekonomik dhe lidhjes së vendit me tregjet ndërkombëtare.