“Çmimet e larta dëmtojnë investimet në turizëm”, Rama kritika për sektorin e shërbimit: Synojmë ….

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër nivelin e çmimeve në disa biznese të sektorit të agroturizmit dhe mikpritjes, gjatë një takimi me përfaqësues të këtij sektori.
Sipas Ramës, vendosja e çmimeve të larta po dëmton zhvillimin afatgjatë të turizmit në Shqipëri, duke larguar vizitorët dhe klientët potencialë.
“Nuk na duhet të bëhemi një destinacion i masës së ulët konsumatore, por duhet të synojmë turistë që shpenzojnë më shumë,” u shpreh kryeministri, duke theksuar se agroturizmi mund të luajë rol transformues në këtë drejtim.
Ai shtoi se në shumë raste, investimet e mëdha në hotele dhe agroturizma nuk po shoqërohen me politika të qëndrueshme çmimesh, duke i cilësuar këto praktika si të dëmshme për të ardhmen e biznesit.
“Kur vendosen çmime të larta për të rikuperuar shpejt investimin, në fakt po i prish të ardhmen vetes,” tha Rama, duke theksuar se fitimi duhet parë si proces afatgjatë dhe i qëndrueshëm.
Sipas tij, shumë projekte në sektorin e turizmit kërkojnë kohë për kthim investimi, ndaj bizneset duhet të fokusohen te zhvillimi gradual dhe jo te përfitimi i menjëhershëm.