Maturantët në garë për Mjekësinë e Përgjithshme, rreth 1400 kandidatë testohen për 436 kuota

Aktualitet

Maturantët në garë për Mjekësinë e

1381 maturantë kanë nisur këtë të hënë testimin e informatizuar për degën Mjekësi e Përgjithshme. Janë gjithsej 436 kuota.

Përllogaritet tre maturantë konkurrojnë për një vend në auditorët e Mjekësisë. Vihet re se këtë vit kërkesa për degën e Mjekësisë së Përgjithshme është rritur me gati 15% krahasuar me një vit më parë.

Testi i informatizuar është një tjetër filtër që aplikon Fakulteti i Mjekësisë për të përzgjedhur studentët më të mirë. Me emocione të forta, maturantët kanë nisur testimin e informatizuar në orën 8:30, ku për 60 minuta, të ndarë në grupe, janë përgjigjur pyetjeve rreth lëndëve të biologjisë, kimisë dhe fizikës, lëndë që lidhen me shkencën e mjekësisë.

“Nuk flas dot, jam shumë e emocionuar. Mora 96 pikë. Për mua ishte i thjeshtë, isha përgatitur. I lehtë”, këto ishin disa nga përgjigjet e maturantëve.

Përveç temperaturave të larta, kjo verë ka kaluar e gjitha në stres për maturantët, të cilët kanë zgjedhur degë si mjekësia apo Arkitektura, ku kandidatët pas Maturës Shtetërore kalojnë një tjetër test për të provuar njohuritë që kanë për secilën degë e për të ulur më pas në auditorët e tyre.

“Gjithë vera mbi libra duke mësuar. Për mua ishte zgjedhje e parë dhe vetëm degë që lidhen me shëndetin kam zgjedhur”, thanë edhe disa maturantë.

Testimi i informatizuar vijon deri të premten dhe më pas nis përllogaritja e pikëve në total që kanë grumbulluar maturantët, ku nevojiten 30 pikë nga ky test dhe 70 nga Matura Shtetërore për t’u renditur fitues në këtë degë.

ME TE LEXUARAT