Kursi i Euros prek minimum të ri historik pranë 97.4 lekëve

Aktualitet

Kursi i Euros prek minimum të ri historik pranë 97.4 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros po vijon rënien dhe e ka mbyllur javën me një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 97.42 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Euro vazhdon të jetë në rënie me bazë vjetore, me një rënie prej afërsisht 3%. Një vit më parë, në njëjtën ditë, Euro këmbehej me 100.39 lekë.

Euro po vijon rënien duke u orientuar drejt kufirit të 97 lekëve, pavarësisht se Banka e Shqipërisë edhe këtë vit po realizon blerje të drejtpërdrejta periodike për të ulur sasinë e valutës në treg. Sipas agjentëve të tregut valutor, tregu karakterizohet nga një ofertë e bollshme e monedhës europiane, në përputhje me tendencën e zakonshme sezonale. Pjesa e dytë e korrikut dhe ajo e parë e gushtit shënojnë edhe pikun e sezonit turistik dhe njëkohësisht të fluksit të prurjeve të valutës në ekonomi.

Të dhënat më të fundit për bilancin e pagesave të vendit i takojnë tremujorit të parë, periudhë kur statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se deficiti i llogarisë korrente ra në vlerën e 212 milionë eurove, 41% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Tkurrja e deficitit të jashtëm në tremujorin e parë erdhi paralelisht nga rënia e deficitit në mallra dhe zgjerimi i mëtejshëm i suficitit në shërbime.

Kontributin kryesor në llogarinë e shërbimeve e dha përsëri turizmi, që solli të ardhura neto në vlerën e 295 milionë eurove, në rritje me 10.5% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Përveç efektit të zakonshëm sezonal, të lidhur me pushimet verore, flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta edhe nga investimet e huaja, sidomos në pasuri të paluajtshme. Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme shprehen se blerjet nga subjektet nga jashtë vendit vazhdojnë të jenë të larta, veçanërisht në zonat bregdetare. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet e huaja në pasuri të paluajtshme po rriten edhe këtë vit. Për tremujorin e parë, ato arritën vlerën e 104 milionë eurove, 24% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, edhe politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e karakterizuar nga suficite të mëdha buxhetore, ka ndikuar në uljen e ofertës së Lekut dhe në forcimin e monedhës vendase. Të dhënat paraprake treguan se buxheti e mbylli 6-mujorin 2025 me suficit në shumën e 33.5 miliardë lekëve, në rënie sidoqoftë me 35% krahasuar me suficitin e regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

 

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion