KLP fut në “sitë” prokurorët, Gent Ibrahimi: Vlerësimi 3 deri në 5 vite, lista miratohet çdo nëntor

Aktualitet

KLP fut në “sitë” prokurorët, Gent Ibrahimi:

Nga viti 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të nisë vettingun e prokurorëve në kriterin etik dhe profesional. Kjo u njoftua ditën e sotme nga kreu i KLP Gent Ibrahimi në trajnimin e organizuar nga misioni EURALIUS V, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbi legjislacioni e ri kombëtar.

Gent Ibrahimi, falenderoi misionin e asistencës ndërkombëtare për zbatimin e reformës në drejtësi, EURALIUS V dhe nënvizoi se procesi i vlerësimit të prokurorëve është thelbi i punës së Këshillit.

Rëndësia e miratimit të kësaj rregulloreje për menaxhimin e karrierës së prokurorëve, bazuar ekskluzivisht mbi kriterin e meritokracisë dhe garantimin e objektivitetit, paanshmërisë dhe transparencës.


Gjatë sesioneve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me draftin e rregullores së përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale të Këshillit dhe diskutuan mbi identifikimin e treguesve të vlerësimit të zbatueshëm për prokurorët me qëllim miratimin e kësaj rregulloreje në seancën plenare të Këshillit, gjatë muajit në vijim.

Kjo rregullore zbatohet për vlerësimin e prokurorëve të caktuar në një pozicion në prokurori, të cilët kanë ushtruar detyrën e prokurorit gjatë periudhës së vlerësimit.

Objekti i kësaj rregullore është përcaktimi i rregullave që plotësojnë skemën e vlerësimit etik dhe profesional të prokurorëve në bazë dhe për zbatim të Ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe hartimin e metodologjisë së pikëzimit me qëllim përcaktimin e nivelit të vlerësimit të prokurorit. Çdo prokuror i Republikës duhet të gjejë veten në raportin e vlerësimit të miratuar nga Këshilli.


Gjatë periudhës së vlerësimit, tre ose pesëvjeçar, KLP vlerëson prokurorin, pavarësisht nga koha e ushtrimit prej tij të detyrës, e cila gjithsesi nuk mund të jetë më pak se një vit. Çdo muaj Nëntor, Këshilli do të miratojë listën me numrin e prokurorëve të cilët do të jenë pjesë e procesit të vlerësimit për vitin pasardhës.

Aktiviteti është pjesë e ciklit të trajnimeve që misioni EURALIUS V po organizon në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për fuqizimin e kapaciteteve të Këshillit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion