Kapen 770 kilogramë kokainë në Itali, droga ishte fshehur mes ngarkesës me banane nga Ekuadori

Një tjetër goditje e rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të drogës është realizuar në portin e Vado Ligure, në Savona të Italisë, ku Guardia di Finanza dhe Agjencia e Doganave dhe Monopoleve (ADM) sekuestruan mbi 770 kilogramë kokainë me pastërti të lartë.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të një konteineri frigoriferik të mbërritur nga Ekuadori, ku ishte fshehur mes dhjetëra kutive me banane. Në total, autoritetet identifikuan 650 pako me kokainë, me një peshë totale prej më shumë se 770 kilogramësh.
Sipas autoriteteve italiane, droga vinte nga një prej porteve kryesore të Ekuadorit dhe ishte fshehur me kujdes në ngarkesën me banane. Sekuestrimi është rezultat i analizave dhe monitorimit të vazhdueshëm të rrugëve tregtare që lidhin Amerikën e Jugut me portin e Vado Ligure, i cili konsiderohet një nyje gjithnjë e më e rëndësishme për tregtinë drejt Europës dhe, njëkohësisht, objektiv i grupeve kriminale për trafikun e drogës.
Sipas vlerësimeve, nëse kokaina do të hidhej në treg, do t’u siguronte organizatave kriminale fitime prej rreth 250 milionë eurosh.
Ky është një nga sekuestrimet më të mëdha të viteve të fundit në portin e Vado Ligure dhe vjen vetëm pak javë pasi autoritetet italiane bllokuan një tjetër ngarkesë me mbi 300 kilogramë kokainë me pastërti të lartë. Autoritetet theksojnë se operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për goditjen e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe mbrojtjen e sigurisë publike.


