"Nga Vis Martinaj te Nuredin Dumani/ SPAK mbyll hetimet për dosjen “Metamorfoza”, çon për gjykim 9 persona (EMRAT)

Fraksioni i ndarë i dosjes “Metamorfoza” është përcjellë tashmë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në vijim pritet të hidhet shorti për përzgjedhjen e gjyqtarit që do të vendosë nëse do ta kalojë ose jo çështjen për gjykim, sikurse ka kërkuar SPAK.
Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kanë përmbyllur hetimet ndaj Ervis Martinajt, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si edhe ndaj Denis Bajrit, Klaodor Hakajt, Prekë Kodrës, Aleks Ndrekës, Bardhyl Mavrës, Eljon Hatos dhe Arsad Bashlit.
Procedurat hetimore kanë përfunduar edhe për Nuredin Dumanin, i cili po përballet me një tjetër proces gjyqësor në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”. Dumani, që gëzon statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Nëntë të pandehurit janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre nuk janë zbatuar nga Policia e Shtetit prej afro tre vitesh. Me përfundimin e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dërgimin e tyre për gjykim.
Për të gjithë grupin, SPAK ka ngritur akuzat për “Vrasje me paramendim”, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Mes 9 personave për të cilët është kërkuar gjykimi, vetëm dy rezultojnë të arrestuar. Bëhet fjalë për Aleks Ndrekën, të njohur me nofkën “Leksi i Druve”, dhe Denis Bajrin, i cili njihet gjithashtu me mbiemrin Brajovic.


