Rruga e ndërtuar 7 mijë vite më parë del në dritë nën ujërat e Adriatikut

Një rrugë me kalldrëm, e ndërtuar rreth 7 mijë vjet më parë, është zbuluar nën ujërat e Detit Adriatik pranë ishullit Korçula në Kroaci.
Arkeologët besojnë se ajo lidhte një vendbanim neolitik me pjesën kryesore të ishullit dhe ofron të dhëna të reja për jetën e komuniteteve që banonin në këtë zonë mijëra vite më parë.
Zbulimi u bë në sitin arkeologjik nënujor të Solinës, një prej vendbanimeve prehistorike më të rëndësishme në Mesdhe.
Rruga ka një gjerësi rreth katër metra dhe është ndërtuar me pllaka guri të vendosura me kujdes. Ajo ndodhet 4 deri në 5 metra nën sipërfaqen e detit dhe është ruajtur në gjendje shumë të mirë, pasi për mijëra vjet ka qenë e mbuluar nga balta dhe sedimentet detare.
Sipas studiuesve, rruga është përdorur rreth vitit 4900 para erës sonë dhe të çon drejt një vendbanimi të ndërtuar mbi një ishull artificial, i krijuar nga vetë banorët e asaj kohe.
Siti u identifikua në vitin 2021 nga arkeologu Mate Parica i Universitetit të Zadarit, pasi imazhet satelitore zbuluan formacione të pazakonta në fundin e detit. Gjatë kërkimeve të mëvonshme u zbuluan mure guri, rruga dhe mbetje të tjera të një vendbanimi të organizuar.
Pozicioni i mbrojtur i zonës ka bërë që strukturat të ruhen pothuajse të paprekura, pasi ishujt përreth kanë zbutur ndikimin e dallgëve ndër shekuj.
Gjatë gërmimeve, arkeologët zbuluan edhe një vendbanim të dytë nënujor në Gjirin e Gradinës, në anën tjetër të ishullit Korçula. Edhe aty u gjetën sëpata guri, tehe dhe fragmente enësh qeramike që lidhen me kulturën Hvar, një nga kulturat më të njohura të periudhës neolitike dhe të epokës së bakrit në bregdetin lindor të Adriatikut.
Sipas ekspertëve, prania e dy vendbanimeve pranë njëri-tjetrit tregon se ishulli Korçula ka pasur një popullsi shumë më të madhe dhe më të organizuar nga sa mendohej deri tani. Zbulimi konsiderohet një nga më të rëndësishmit për arkeologjinë nënujore në Mesdhe, pasi vendbanime të tilla të fundosura janë shumë të rralla dhe ofrojnë informacion të vlefshëm për jetën dhe ndërtimet e komuniteteve neolitike rreth 7 mijë vjet më parë.


