Atentati në Rinas, autoritetet shqiptare i kërkojnë informacion Spanjës për zbardhjen e lëvizjeve të Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit në Barcelonë

Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht Spanjës për të zbuluar lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit gjatë qëndrimit të tyre 4 ditor në Barcelonë, përpara se të ktheheshin në Shqipëri ku ranë pre e një atentati mafioz tek rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit të Rinasit mesditën e 11 Nëntorit.
Deri më tani, autoritetet e huaja nuk i kanë kthyer përgjigje autoriteteve shqiptare.
Pas atentatit ku humbi jetën 47-vjeçari Gilmando Dani ndërsa mbeti i plagosur miku i tij, efektiv i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, efektivët kanë kryer kontrolle në disa zona të ndryshme si Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë-Krujë.
Kontrolle u ushtruan edhe në godina të braktisura, si edhe te persona të skeduar më herët.
Deri tani nuk është gjetur asgjë me vlerë për hetimin, ndërsa janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit.
Sipas ekspertizës paraprake mjekoligjore nga morgu i Tiranës, Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja.
Si u realizua atentati?
Gilmando Dani u ekzekutua në rrethrrotullimin para hyrjes së Aeroportit të Rinasit, pasi sapo ishte kthyer nga Barcelona. Mbi makinën ku ai po udhëtonte me mikun e tij Mustafa Shaljani (Sheqeri) u lëshuan një breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend Danin, i cili njihet si njeriu më i afërt i Emiljano Shullazit.
Në fillim, autorët kanë qëlluar nga makina e tyre, pasi janë futur paralel mjetit tjetër. Makina tip Benz ku ndodhej viktima Dani humb kontrollin dhe te rrethrrotullimi i Rinasit ecën drejt. Më pas, mjeti Toyota i autorëve i del para dhe njëri prej tyre zbret nga makina dhe qëllon nga shumë afër. Autori që ka zbritur nga makina ka qenë i maskuar.
Para makinës ku ndodhej Gilmando Dani dhe Mustafa Sheqeri ishte një taksi që po kalonte në ato momente. Dyshohet se ka pasur kundërpërgjigje me armë edhe nga makina ku ndodheshin Dani dhe Sheqeri.
Në automjetin e djegur të autorëve në fshatin Halil janë gjetur 3 kallashnikovë dhe një pistoletë. Armët janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme.


