I arrestuari humbi jetën në “Bllokun e Sigurisë” në Tiranë, Komiteti shqiptar i Helsinkit zbulon shkeljet e rënda

Komiteti shqiptar i Helsinkit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku 41-vjeçari i arrestuar, Bledi Panajoti, humbi jetën në ambientet e paraburgimit.
Nga një monitorim që ka kryer KShH pas ngjarjes, ka rezultuar se i arrestuari është dërguar disa herë në Urgjencë pasi ka pasur disa sëmundje, por edhe pas rekomandimeve të dhëna nga mjekët e shërbimit të urgjencës për ndjekje nga specialistët (toksikolog, endikronolog dhe psikiatër), këto rekomandime nuk rezultojnë të jenë zbatuar, pas rikthimit të tij në ambientet e dhomave të sigurisë.
KShH vëren se në datën 18.03.2026 ora 22:30 nga Komisariati i Policisë numër 3 të kryeqytetit ka ardhur shtetasi i arrestuar Bledi Panajoti, për veprën penale të vjedhjes, pas denoncimit që kishte bërë një zonjë për tentativën e vjedhjes së çantës. Punonjësit e Policisë së dhomave të sigurisë pohojnë se i arrestuari ka shfaqur probleme shëndetësore që në hyrje, ndaj me kërkesë të oficerit të informacionit, patrulla që e ka shoqëruar e ka çuar në Urgjencë dhe prej andej e ka risjellë të arrestuarin në datën 19.03.20226 rreth orës 00:55 të mesnatës, në dhomat e sigurisë.
Në proces-verbalin e konstatimit (Bllok), datë 19.02.206 që mban orën 00:55, shkruhen thëniet e të arresuarit: “Nuk kam probleme me policinë. Kam probleme shëndetësore. Jam me diabet, ku përdor insulin. Jam me Hepatit tip C. Jam përdorues i lëndëve narkotike dhe turbekuloz”.
Vetëm një orë më pas, në orën 02.10 të së njëjtës datë (19 Mars 2026), i arrestuari është transferuar me urgjencë për ndihmë mjekësore pasi është përkeqësuar. Sipas vëzhgimit të bërë nga KSHH, thuhet se nga Spitali është kthyer rishtazi në Bllokun e Sigurisë, në orën 08.58 minuta të dt.19 Mars.
Mjeku që është kujdesur në QSUT ka lëshuar një dokument me formatin “Recetë”, ku ishte shkruar: “Pacienti Bledi Panajoti sillet me urgjencë nga Urgjenca e Tiranës i shoqëruar me polici me A.P… Konsultë kardiologu: Aktualisht pa të dhëna për patologji acute kardiake. Konsultë Endokrinologu. Rekomandohet të plotësohet me HBAIC dhe të gjykohet skema e mjekimit të diabetit në varësi të HBAIC, sipas sistemit të referimit. Rekomandohet të ndiqet nga toksikologu, endokrinologu, dhe psikiatri.”
Po në datën 19 mars është hapur Kartelë Shëndetësore nga mjeku i Bllokut të Sigurisë në të cilën shkruhet: “Pacienti referon se është përdorues i lëndëve narkotike dhe vuan nga diabeti për të cilën u dërgua në spitalin QSUT për ekzaminimin e mjekëve. Aktualisht pas kthimit nga spitali është i axhituar. TA normal, pulsi normal….(e paluexueshme shënimi në vijimësi). Ushqehet dhe fle normalisht. Diagnoza: Toxicomania (Përdorues i lëndëve narkotike) susp diabetic et Susp çrregullime të shëndetit mendor. Mjekimi: Clonotril 2.5 miligramë.”
I arrestuari është vendosur në qelinë para dhomës ku qëndron punonjësi i policisë që ta kishte nën vëzhgim të vazhdueshëm. Në datën 20.03.2026 në orën 05.48 vendoset shënimi që i ndaluari Bledi Panajoti gjendet pa puls dhe pa frymëmarrje, ndërkohë që një orë e gjysmë më parë rezulton se ai është dëgjuar në frymëmarrje (gërhitje) nga punonjësi i policisë që e kishte në vëzhgim. KShH vëren se pavarësisht rekomandimeve të dhëna nga mjekët e shërbimit të urgjencës për ndjekje nga specialistët (toksikolog, endikronolog dhe psikiatër), këto rekomandime nuk rezultojnë të jenë zbatuar, pas rikthimit të tij në ambientet e dhomave të sigurisë./Shqip


