Goditja e grupit kriminal nga SPAK, mes të arrestuarve dhe Bujar Germizi, ‘mafiozi’ famëkeq i Kukësit
Mes personave të arrestuar si anëtarë të dyshuar të një grupi kriminal të goditur nga Prokuroria e Posaçme, janë edhe shtetasit Besmir Mustati dhe Bujar Gërmizi. Ky i fundit rezulton një nga emrat më të njohur të krimit në Kukës. Bujar Gërmizi akuzohet për krijimin e kushteve për vrasje.
Grupi kriminal është zbërthyer përmes aplikacionit “SKY Ecc” dhe SPAK lëshoi 11 urdhër arreste ditën e hënë (20 nëntor). Në pranga është vendosur Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, si edhe djali i tij i madh, Eralbin. Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Ndërsa është lëshuar urdhërarrest edhe për shefin e Krimeve të Komisariatit nr. 6, në Tiranë, Dedan Gjoni për krijim kushtesh për vrasje.
Në kërkim në kuadër të këtij operacioni është shpallur në kërkim Ervin Mata, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie për trafik droge. Ndaj tyre rëndojnë akuzat si “Grup i strukturuar kriminal”, “pastrim parash”, “trafik droge” dhe “sigurim i kushteve për vrasje”.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Zbërthimi i grupit nga Sky Ecc
Prej kohësh flitej se Prokuroria e Posaçme kishte në duar një tjetër dosje voluminoze që lidhej me operacionin e nisur më herët dhe të emërtuar “Metamorfoza”.
U tha se kanë ardhur më mijëra biseda të dala nga aplikacionet “Sky”, ku janë të implikuar me dhjetëra efektivë policie e deri në rangje të larta të sistemit të drejtësisë. Por mbrëmë u bë me dije se personi i parë që është kërkuar të vihet në pranga është një emër i spikatur i Policisë së Shtetit, ndonëse prej vitesh ai është larguar nga radhët e saj.
Bëhet fjalë për Erzen Breçanin, ish-numrin dy të Policisë së Tiranës, i cili sipas të dhënave jozyrtare është ndaluar bashkë me të birin, djalin e madh të tij, Eralbin. Por nga të dhënat e pakta që kanë dalë nga SPAK mësohet se urdhërarrest është lëshuar edhe për shefin e Krimeve të Komisariatit nr. 6, në Tiranë, po ashtu edhe për një sërë personash të tjerë, që lidhen me policinë.
Por ajo që bie në sy në këto urdhërarreste, ende të papublikuara zyrtarisht nga Prokuroria, mësohet se në kërkim është shpallur edhe Ervin Mata, i dalë në skenë në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Tiranë viteve të fundit.
Ai njihet veç të tjerave edhe si rivali kryesor i Ervis Martinajt, të konsideruarit si mbreti i ‘lojërave të fatit’, fati i të cilit ende nuk dihet nga ana e Policisë dhe e Prokurorisë, pasi ai rezulton i zhdukur që në muajin gusht të një viti më parë.