Goditja e 7 grupeve kriminale, SPAK: Ervis Martinaj aleancë me Shullazin e Ndokën, Durim Bami me klanin Duka

Prokuroria e Posacme ka zbardhur aktivitetine 7 grupeve kriminale te gidutura ne aksionin e fundit, ku sipas saj, ne qender ishte grupi i Ervis Martinajt.
Ai ishte në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka, të cilët kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit si dhe kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu ata kontaktuan Emiljano Shullazhin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.
Nga ana tjeter Durim Bami sipas SPAK, kishte aleance me rivalet e Ervis Martinajt, anetaret e fisit Duka.
Njoftimi i SPAK:
Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B. etj.
E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.
Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi D. B., i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit E.M. dhe A.N. Grupi kriminal i drejtuar nga D.B., bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit L.D. dhe F.H., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e E.M. dhe A.N. dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi E.R. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit P.Gj., ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. E.R., ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit P.Gj.
Shtetasi K.Sh., me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit P.Gj.
Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.
Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:
– Ish Deputeti me iniciale A.N.;
– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale H.M.;
– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me iniciale K.SH.;
– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale A.M. dhe A.P.
Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi H.M., me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin K.Sh. dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Po ashtu i hetuari H.M., në bashkëpunim me shtetasin P.Gj., aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi D.B., në bashkëpunim me shtetasin A.M. (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.