Flirti përfundoi në pengmarrje! Detaje nga ngjarja në Tiranë, autorët kërkuan 2 mln lekë nga gruaja e 68-vjeçarit

Aktualitet

Flirti përfundoi në pengmarrje! Detaje nga ngjarja në

Pengmarrja e fundit ne Tirane nisi si një flirt mes një 68-vjeçari dhe një 32-vjeçare, por përfundoi në rrembim, ku për jetën e burrit, rrëmbyesit kërkuan 2 milionë lekë për ta lënë të lirë. Gjithçka ndodhi në zemër të Tiranës, në rrugën “George W. Bush”.

Një 68-vjeçar, i identifikuar si Edvar Agalliu, është rrëmbyer në mes të ditës nga pesë persona, të cilët e morën me forcë në makinë dhe e mbajtën peng për disa orë, për ta liruar vetëm pasi morën një shumë të konsiderueshme parash nga bashkëshortja e tij.

Ngjarja nisi me një përplasje verbale në rrugë, pasi njëri prej rrëmbyesve, Sulejman Sina, 31 vjeç, pretendoi se 68-vjeçari kishte ngacmuar të fejuarën e tij, Nikoleta Begollin, 32 vjeçe. Pavarësisht mohimeve të të moshuarit, përplasja u përshkallëzua dhe shndërrohet në një skemë të mirëorganizuar rrëmbimi.

Bashke me vëllain e tij, Klinton Sina 21 vjeç dhe bashkëpunëtorin Idajet Mashollari autorët e futën me forcë në makinë dhe e transportuan drejt fshatit Kakunjë, ku e izoluan në një banesë të braktisur për plot pesë orë. Aty nuk e dhunuan fizikisht, por e lidhën dhe i ushtruan presion psikologjik, ndërsa kontaktuan bashkëshorten e tij për të kërkuar shpërblimin.

Shuma prej 2 milionë lekësh të rinj iu kërkua gruas së pensionistit nën kërcënimin se burri i saj nuk do të dilte gjallë nëse nuk paguante. Ajo pranoi të dorëzonte shumën në një takim të organizuar në zonën e Saukut, ku paratë iu dorëzuan Bajram Ibraliut, 57 vjeç, një nga anëtarët e grupit.

Ndërkohë, policia kishte marrë sinjalin dhe në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës, organizoi një operacion të menjëhershëm të koduar “Imediat”, i cili përfundoi me sukses.

Brenda disa orësh, të pesë autorët u identifikuan, u ndoqën dhe u arrestuan. Në pranga ra dhe molla e sherrit për të cilën dyshohet se u iniciua gjithçka. Pamjet e kamerave të sigurisë në rrugën “George W. Bush” ishin thelbësore për zbardhjen e ngjarjes.

Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetin e përdorur nga autorët, policia gjeti dhe sekuestroi 1 746 000 lekë nga shuma e marrë përmes shantazhit, si dhe litarin me të cilin ishte lidhur viktima.

Policia bëri me dije se të arrestuarit janë:

Sulejman Sina, 31 vjeç
Klinton Sina, 21 vjeç
Idajet Mashollari, 21 vjeç
Bajram Ibraliu, 57 vjeç
Nikoleta Begolli, 32 vjeçe/top channel

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion