Elbasan: 55-vjeçari thyen masën e arrest në shtëpi dhe tenton të përdhunojë fqinjën 25-vjeçare

Një 55-vjeçar nga Elbasani është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe ka tentuar të përdhunojë fqinjën e tij 25-vjeçare.
Sipas informacioneve zyrtare, ndaj shtetasit me iniciale I. F., i cili ndodhej në arrest shtëpie për një çështje të mëparshme dhune në familje, është ngritur një tjetër kallëzim penal. Ai akuzohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një vajze të re që jeton pranë tij, e cila ka raportuar ngjarjen pranë autoriteteve.
“U shpall në kërkim I. F., 55 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, për veprën penale ‘dhuna në familje’, dhe dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një 25-vjeçare, fqinje e tij”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Materialet në lidhje me ngjarjen i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa forcat e rendit po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.


