Ekstradimi në pikëpyetje, Lici përfaqësohet nga një prej avokatëve më të njohur në Turqi

Është vënë në pikëpyetje ekstradimi nga Turqia drejt Shqipërisë i 31-vjeçarit Ibrahim Lici, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Shkodër.
Mediat raportojnë se Lici ka pajtuar një prej avokatëve më të njohur në Turqi dhe ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë të caktuar ndaj tij.
Ai akuzohet nga drejtësia shqiptare për veprën penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet si autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër më 15 maj të vitit 2021.
Policia njoftoi se ai ishte arrestuar në Turqi më 13 shkurt, në kuadër të operacionit të koduar “Jehonë”, por vëllai i tij, Hamza Lici reagoi duke përgënjeshtruar autoritetet policore shqiptare, duke deklaruar se 31-vjaçari nuk ishte arrestuar, por vetëdorëzuar për të kërkuar azil me pretendimin se jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale.
“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi.
Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh.
Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Së fundmi ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit.
Ibrahim Lici njihet si kundërshtari kryesor i Bajrave në Shkodër. Ai ishte në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar sipas dosjes Metamorfoza. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh. Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.


