Hoteli derdhte në ambient ujërat e zeza në Dhërmi, procedohet administratorja

Në Dhërmi eshte zbuluar një rast flagrant ndotjeje mjedisore, ku një hotel i zonës derdhte ujërat e zeza në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje serioze të ambientit përreth.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në këtë hotel ishte jashtë funksionit. Si rezultat, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj administratores së hotelit, një shtetase 46-vjeçare me inicialet E. M.
Ajo do të hetohet për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”.
Ndërkohë, Task-Forca e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Tiranë, ka vendosur një masë administrative ndaj subjektit, pas shkeljes së konstatuar.
Ky rast rikthen vëmendjen mbi kontrollet në zonat turistike dhe mënyrën se si menaxhohen mbetjet dhe ujërat e ndotura në kulmin e sezonit veror.
NJOFTIMI :
Shkaktuan ndotje mjedisore nga shkarkimi i ujërave të ndotura të hotelit, procedohet penalisht administratorja e subjektit.
Në vijim të planit të masave për mbrojtjen e mjedisit në zonat turistike, si dhe në zbatim të bashkëpunimit ndërinstitucional për kontrollin dhe ndëshkimin e shkeljeve mjedisore, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht të Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Task-Forcën e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, ushtruan verifikime në një subjekt hotelier në fshatin Dhërmi.
Gjatë kontrollit të ushtruar më datë 18.07.2025, u konstatua se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura i këtij hoteli ishte jashtë funksionit dhe si pasojë, një pjesë e ujërave të ndotura derdhej në një përrua pranë objektit, duke shkaktuar ndotje të ambientit përreth.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dhërmi referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal, në gjendje të lirë, për administratoren e hotelit, shtetasen E. M., 46 vjeçe, banuese në Vlorë, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, parashikuar nga neni 201 i Kodit Penal.
Ndërkohë, nga ana e Task-Forcës së Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, u vendos masë administrative ndaj subjektit, për shkeljen e konstatuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit në çdo zonë të qarkut.


