Goditet një rrjet prostitucioni në Shqipëri/ 22 të arrestuar, përfshirë vajza nga Kina e Amerika Latine

Në gjysmën e parë të vitit 2025, autoritetet shqiptare kanë goditur fuqishëm rrjetet e prostitucionit që përfshijnë vajza të huaja, kryesisht nga Amerika Latine, Kina dhe vende të Europës Lindore.
Sipas Policisë së Shtetit, janë kryer të paktën 15 operacione nga Njësia Antitrafiqe, ku janë arrestuar 22 tutorë dhe janë shpallur në kërkim 11 të tjerë. Në hetim janë marrë gati 100 vajza të huaja, të cilat rrezikojnë ndëshkime nga gjoba deri në 3 vjet burg.
Fenomeni është përqendruar në kryeqytet dhe zonat bregdetare, ku rrjetet kriminale shfrytëzojnë në mënyrë të organizuar vajza nga Kolumbia, Brazili, Ekuadori, Venezuela, Kina, Ukraina dhe Rusia. Në Durrës janë zbuluar rastet me tutorë dhe vajza kineze.
Shpesh prostitucioni zhvillohet në apartamente private të prenotuara përkohësisht (“Airbnb”), duke i bërë të vështira kontrollin policor. Çmimet fillojnë nga 100 euro dhe shkojnë deri në 500 euro, ndërsa një pjesë e klientelës janë persona me status të lartë, të cilët kërkojnë diskrecion të plotë.
Shumica e vajzave që operojnë në Shqipëri janë pjesë e tureve të vizitave evropiane dhe largohen pas disa ditësh apo javësh, duke u zhvendosur në vendet fqinje si Greqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Sipas burimeve policore, trafiku masiv i vajzave të huaja po shtyn vajzat shqiptare jashtë tregut, sidomos në qendrat e masazheve ku më parë dominonin vajzat lokale.


