Detaje nga vrasja e Vladimir Topjanës në Itali, çfarë u bë shkak për sherrin!

Një debat me tone të larta mes shqiptarësh përpara një lokali përfundoi me një të vrarë në Fontanafredda, në provincën e Pordenone në Itali. Vladimir Topjana, 43 vjeç, me origjinë nga Fushë Arrëzi, shofer i një kompanie, u qëllua 3 herë në kokë.
Autori identifikohet si Rogert Shota 34 vjeç nga Fushë-Kruja, që u arratis me një “Audi” të bardhë, por policia arriti ta ndalonte rreth mesnatës.
Viktima Vladimir Topjana kishte dalë me djalin e tij 17-vjeç për të parë ndeshjen Roma-Juventus dhe në një moment kur po fliste me një të afërm në parkingun e makinave përballë lokalit, mbërriti një “Audi” i bardhë. Nga mjeti zbriti Rogert Shota i cili në makine kishte edhe babain e tij Pren Shota dhe një person tjetër. Ata nisën të debatonin me 43-vjeçarin kur papritur një prej tyre doli nga makina nxori një armë dhe qëlloi tre herë në kokë Vladimir Topjanën.
Miq dhe familjarë të viktimës mbërritën në vendngjarje menjëherë, ndër të parët ishin djemtë e viktimës dhe kunati. Autoritetet vijojnë hetimet në disa pista duke marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe familjarë të viktimës.
Besohet se Topjana e njihte vrasësin, i cili sipas dëshmitarëve, u nis menjëherë drejt tij, pa hezituar, detaj i cili mund të ngre dyshime se motivi mund t'i ketë rrënjët në marrëdhëniet personale, ndoshta familjare, dhe jo në një sulm të rastësishëm. Nuk përjashtohet edhe larja e hesapeve. Në 2018, Vladimir Topjana rezulton i përfshirë në një konflikt në Fushë Arrëz.


