Detaje nga tragjedia në Qerret/ 4 turistët rusë prej një jave në Shqipëri

KAVAJË
4 turistët rusë të cilët ndërruan jetë një ditë më parë në saunën e hotel ‘Glorias’ në Qerret të Kavajës, prej një jave po pushonin në Shqipëri.Mësohet se 4 turistët, çifti Burenkova, vajza e tyre e bashkëshorti i saj, kishin zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre. Ata kishin mbërritur në vendin tonë, të dielën e javës së shkuar përmes një agjencie turistike, udhëtim që do të ishte i fundit për ta. Bashkë me 4 familjarët, në Shqipëri ishin edhe 4 turistë të tjerë rusë.
Burimet thanë se gjatë ditës ata kishin udhëtuar drejt Maqedonisë, dhe pas drekës në Ohër, ishin kthyer sërish në hotelin ku po qëndronin. Zbardhja e detajeve të reja, ka zgjeruar edhe pistën e hetimit nga grupi hetimor. Paraprakisht policia tha se 4 turistët dyshohet të kenë ndërruar jetë nga asfiksia, por nuk përjashtohet as pista që 4 familjarët të kenë qenë nën efektin e alkoolit. Gjithashtu pjesë e hetimit është bërë edhe udhëtimi i turistëve në Maqedoni, për ndonjë helmim të mundshëm të tyre, apo konsumim të lëndëve psikotrope.
Në dëshminë e saj për grupin hetimor, një prej punonjësve të hotelit tha për prokurorët se ka qenë rreth orës 22:30 kur ka shkuar në zonën e saunës, ku ishin 2 çiftet, ndërsa i ka thirrur atyre disa herë për t’i njoftuar se pijet dhe frutat iu kishin shkuar në dhomë, por pasi nuk ishin përgjigjur, ka hyrë brenda ku ka parë edhe skenën makabre.

