Cërrik / Mbi 38 mijë qytetarë votojnë nesër për kryebashkiakun e ri, procesi i shpërndarjes së materialeve vonohet për shkak të…

Aktualitet

Cërrik / Mbi 38 mijë qytetarë votojnë nesër për

Bashkia e Cërrikut në Qarkun e Elbasanit është drejt orëve të fundit të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme vendore të 9 nëntorit, ku 38.740 qytetarë do të kenë mundësinë të zgjedhin kryebashkiakun e ri. Në këtë bashki janë ngritur gjithsej 57 qendra votimi, të cilat pritet të hapen nesër në mëngjes në orarin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kryetari i KZAZ nr. 47, Krenar Karaj, bëri të ditur se procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore është në zhvillim e sipër dhe po ecën “deri diku normalisht”, megjithëse nuk ka përfunduar ende.

Sipas Karajt, vonesat janë shkaktuar nga dorëzimi i vonuar i listave të komisionerëve nga subjekti politik Partia Demokratike, e cila mbështet kandidatin e pavarur Amarildo Hoxha.


“Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në bashkinë Cërrik nuk ka përfunduar ende, edhe pse kemi filluar shumë herët dhe jemi tashmë në orët e para të mbrëmjes së së shtunës. Vonesa ka ardhur pasi subjekti politik PD, mbështetës i kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, ka dorëzuar listat e komisionerëve me vonesë, duke penguar ritmin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Megjithatë, jemi duke vijuar dhe presim ta përfundojmë procesin në orët në vijim”, deklaroi Karaj.

Pavarësisht vështirësive paraprake , ai siguroi se të gjitha qendrat e votimit janë tashmë gati për të marrë bazën materiale, në mënyrë që procesi i votimit të zhvillohet normalisht dhe pa vonesa.

Në garë për drejtimin e Bashkisë së Cërrikut janë tre kandidatë:

• Eligert Hima, përfaqësues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”;
• Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i propozuar nga zgjedhësit dhe i mbështetur nga Partia Demokratike;
• Florenc Doka, përfaqësues i Partisë Socialiste.

Kjo është një nga garat më të vëmendshme të këtij viti, pasi kandidatët Hima e Hoxha gjatë fushatës kanë paralajmëruar një përballje e fortë politike mes mazhorancës, opozitës dhe kandidatit të pavarur, në një bashki që ka pasur zhvillime dinamike politike gjatë viteve të fundit.

Autoritetet zgjedhore lokale dhe strukturat e rendit janë në gatishmëri për të garantuar një proces të qetë, transparent dhe të rregullt në të gjitha qendrat e votimit të Bashkisë Cërrik.

Zgjedhjet në bashkinë Cërrik pritet që këtë të dielë të testojnë jo vetëm vullnetin e qytetarëve për përfaqësim lokal, por edhe klimën politike të përgjithshme në qarkun e Elbasanit pas zgjedhjeve parlamentare të Majit ku Qarku i Elbasanit përfaqësohet me 10 deputetë nga PS dhe 4 nga PD .

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion