Burimet njerëzore në fokus/ Rama sipërmarrjes së agroturizmit: Suksesi i biznesit varet nga stafi

Kryeministri Edi Rama ndër të tjera ka theksuar edhe rëndësinë e burimeve njerëzore në suksesin e çdo sipërmarrjeje, duke i cilësuar ato si elementin më të rëndësishëm për arritjen e objektivave të biznesit.
Ai u ka bërë thirrje sipërmarrësve që të mos kursejnë në trajtimin dhe pagesat e stafit, duke nënvizuar se motivimi i punonjësve ndikon drejtpërdrejt në performancën dhe rritjen e kompanive. Sipas tij, më me vlerë është investimi te njerëzit sesa në elementë dytësorë të infrastrukturës.
Rama njoftoi gjithashtu se qeveria ka lehtësuar ndjeshëm procedurat për marrjen e punëtorëve nga jashtë vendit.
Ai shpjegoi se tashmë procesi është thjeshtuar, duke mundësuar rekrutimin e punëtorëve brenda pesë ditësh përmes vetëdeklarimit, ndërsa më pas vijojnë procedurat për pajisjen me leje pune dhe dokumentacionin përkatës.
Sipas Kryeministrit, këto masa synojnë të ndihmojnë bizneset të plotësojnë nevojat për fuqi punëtore dhe të rrisin kapacitetet e tyre në një kohë më të shkurtër.
“Pjesa më jetike për arritjen e objektivave tuaja janë burimet njerëzore, kapitali njerëzor. Aty mos kurseni… më mirë një suva më pak sesa të mos i jepni punonjësit pagën që e bën të ndihet i rëndësishëm,” u shpreh Rama.