‘Bossi i lojërave të fatit’ prej 3 vitesh i zhdukur/ Babai i Ervis Martinajt në GJKKO: SPAK s’do ta zbardhi të vërtetën

Aktualitet

‘Bossi i lojërave të fatit’ prej 3 vitesh i zhdukur/

Babai i të shumëkërkuarit Ervis Martinaj është paraqitur për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procesit për konfiskimin e pasurive të djalit të tij.

Në seancë ishte i pranishëm Mustafa Martinaj, ndërsa procesi lidhet me konfiskimin e 34 pasurive të Ervis Martinaj dhe personave të lidhur me të, me një vlerë të përllogaritur rreth 10 milionë euro.

Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së dy avokatëve.

Pas daljes nga gjykata, Mustafa Martinaj deklaroi për mediat se nuk ka asnjë zhvillim nga autoritetet lidhur me zbardhjen e zhdukjes së djalit të tij.

“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, sipas tij, në moszbardhjen e ngjarjes janë të përfshirë edhe drejtues të policisë kriminale ndër vite.

“I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time, askush nuk është interesuar që atëherë”, tha Martinaj.

Në tetor të vitit 2025, Mustafa Martinaj iu drejtua edhe Gjykata e Lezhës me kërkesën që djali i tij të shpallet zyrtarisht i zhdukur, por çështja ende nuk ka marrë një vendim.

Ndërkohë, për SPAK, për sa kohë nuk ka prova që të vërtetojnë të kundërtën, Ervis Martinaj konsiderohet ende i gjallë.

Martinaj është gjithashtu i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se ishte paguar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Dokle.

ME TE LEXUARAT