Berat/ Arrestohen në flagrancë dy kushërinjtë, kultivonin kanabis në Osmëzezë

Dy të rinj, Sefedin dhe Ronaldo Mehmetaj, u arrestuan nga policia e Beratit pasi u kapën në flagrancë duke kultivuar kanabis në fshatin Osmëzezë.
Uniformat blu asgjësuan 64 bimë narkotike që ndodheshin në parcelë. Gjatë kontrollit në banesën e 29-vjeçarit Sefedin Mehmetaj, efektivët sekuestruan gjithashtu një armë gjahu tip “çifte” dhe disa fishekë.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve me metoda proaktive, të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të territorit, në vendin e quajtur “Moçali”, në fshatin Osmëzezë, u zbulua një parcelë ku ishin kultivuar 64 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan.
Gjatë ndërhyrjes, u kapën në flagrancë në parcelë, shtetasit S. M., 29 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. M, u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu çifte dhe disa fishekë të armës së gjahut.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e tjera dhe për të identifikuar çdo lidhje të mundshme me trafik të mëtejshëm të drogës.


