Autobusi i një agjencie turistike përfundon në kanal në Ishull-Shëngjin

Aktualitet

Autobusi i një agjencie turistike përfundon në kanal në

Një autobus i një agjencie turistike është përfshirë në një incident rrugor gjatë mesditës së kësaj të shtune në zonën e Ishull-Shëngjinit, duke përfunduar në një kanal anësor të rrugës.

Sipas informacioneve paraprake, mjeti po kthehej nga Shëngjini në momentin kur ndodhi aksidenti. Në autobus nuk ndodheshin turistë apo pasagjerë, por vetëm anëtarë të stafit të agjencisë turistike.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejtuesi i autobusit kishte zgjedhur të lëvizte në një rrugë dytësore për të shmangur trafikun e rënduar që është krijuar në daljet nga zona turistike gjatë fundjavës. Gjatë lëvizjes në një segment të ngushtë rrugor, përballë autobusit është shfaqur një automjet tjetër.

Në përpjekje për të shmangur një përplasje të mundshme, shoferi ka devijuar drejt skajit të rrugës. Si pasojë e mungesës së hapësirës dhe kushteve të terrenit, autobusi ka dalë nga karrexhata dhe ka përfunduar në kanalin anësor.

Personat që ndodheshin në mjet kanë dalë menjëherë jashtë autobusit dhe nuk kanë pësuar lëndime. Nga incidenti janë raportuar vetëm dëme materiale në mjet.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë kryer veprimet procedurale dhe po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Autoritetet pritet të përcaktojnë me saktësi shkaqet e ngjarjes pas përfundimit të verifikimeve dhe ekspertizës përkatëse.

ME TE LEXUARAT