Arrestohen 4 shtetas francezë, kryenin vjedhje në Ksamil e Sarandë

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar me sukses operacionet kundër krimeve kundër pronës dhe pasurisë, duke dokumentuar dhe arrestuar në flagrancë katër shtetas francezë të dyshuar për vjedhje në zonat turistike të Ksamilit dhe Sarandës.
Në Ksamil, më 4 shtator 2025, u arrestuan tre persona: P. K., 21 vjeç, H. K., 21 vjeç, dhe Y. N., 22 vjeç, të gjithë banues në Paris, Francë.
Ata dyshohet se, duke vepruar në bashkëpunim, kanë vjedhur sende elektrike, shishe me pije alkoolike, si dhe kanë dëmtuar me mjet prerës një gomone, mjet lundrues tipik i zonës.
Ndërkohë, në Sarandë, në lagjen nr. 4, u arrestua shtetasi B. S., 27 vjeç, gjithashtu banues në Paris, për vjedhjen e një aparati celular nga një person tjetër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e sendeve të vjedhura, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprën penale “Vjedhja”.
Policia apelon qytetarët dhe turistët për bashkëpunim dhe kujdes në ruajtjen e pronës personale.


