Alarm mjedisor, tymi mbytës po i merr frymën Fierit

Aktualitet

Alarm mjedisor, tymi mbytës po i merr frymën Fierit

Qyteti i Fierit po vuan prej dy ditësh ndotjen alarmante mjedisore, si pasojë e tymit nga djegia e mbeturinave që ka depërtuar në zonën e banuar.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale. Profili "Del Vina" ne facebook shkruan:

Në foto është hyrja e qytetit tim të zemrës, Fierit, duket Ura e Mbrostarit, që shënon kalimin nga njësia administrative Mbrostar në lagjen e parë të qytetit, lagjen më veriore të tij, Sheq i Madh. Kur vjen nga Veriu, nga Tirana, sapo le Mbrostarin hyn në Sheq. E tëra zona është e mbuluar në tym! Plehrat, në aleancë, kanë nisur sulmin ajror ndaj qytetit.

Në kurrizin e kësaj lagjeje, në të djathtë të hyrësve dhe në të majtë të dalësve nga qyteti, në një trekëndësh të krijuar mes fundit të një kanali që njihet si Vija e Ngjalës dhe vendbashkimit të tij me lumin Gjanicë, pak përpara se ky të bashkohet me lumin Seman, ndodhet fusha e grumbullimit të mbeturinave. Sot ajo fushë është nën flakë. Substancat kancerogjene janë përhapur ngado. Si kurrë më parë, Fieri gjendet nën tym dhe substanca vdekjeprurëse. Vdekja varet nën re, mbi majat e pallateve të qytetit.

Ndërsa Tirana për Fierin po komenton tymnajën e deklaratave spektakolare të një deputeti të qarkut, në Fier shqetësimi i ditës është një tjetër: tymi i plehrave. (Në Ballkan dhe në Itali, afërsia e grupeve mafioze me biznesin e mbetjeve urbane, është e njohur. Fieri, sidomos, nuk ka qenë imun. Për të dyja qasjet ka patur zëra. Si në historinë e riciklimit, ashtu edhe në drejtim të incerimit. Edhe më tepër zëra ka patur për metodën e menaxhimit të mëparshëm, me mbulim. Mjafton të google-ohet në arkivat digjitale. Te djegia e plehrave, te plehrat vetë, mund të kërkohet shumë prej thelbit që mbartte deklarata e deputetit në fjalë. Ujku i thërret hënës në mes të fshatit, ndërsa mediat kërkojnë gjurmën e ujkut në mal.) Fieri po mbytet!
Një dorë e fortë, me kyç të hekurt e gishta të trashë, ua ka mbërthyer hundët mijra qytetarëve.

Duket se ky është sulm i organizuar i plehrave ndaj qytetit. Këtë herë po e provojnë nga ajri. Afërsisht 10 mijë banorë të lagjeve Bishanakë, Sheq dhe disa fshatrave të njësisë administrative Mbrostar, janë të ekspozuara ndaj këtij niveli historik të ndotjes së ajrit dhe mendimet e mia shkojnë te shëndeti i tyre dhe vështirësia e shtuar për një jete normale për ta, në këto ditë pandemie dhe temperaturash të larta.
Njëkohësisht, natyrshëm më vijnë pyetje:

A ishte planifikuar parku i ri i qytetit, mbi atë fushë të mbetjeve, sapo inceneratori të niste nga puna? Çfarë e vonoi këtë projekt? Pse nuk ka ende një llogaridhënie publike, shteruese? Këtë pyetje e kam për autoritetet publike.
A janë plotësuar afatet e nisjes nga puna të inceneratorit, që më parë thuhej se pritej të niste të punonte brenda tre vjetëve? Pse nuk e ka zbrazur aktiviteti incenerues fushën e Fierit? Nga është duke i siguruar mbetjet? A është duke importuar? Çfarë e pengoi inceneratorin e Fierit, që rezultati të ishte i ngjashëm me Elbasanin? Duhet llogaridhënie publike. Edhe këtë pyetje, për autoritetet publike e kam.
Ndërsa për bashkëqytetarët kam një tjetër pyetje, një të shkurtër, një të thjeshtë, por jo pa nerv: A e jeton frymori jetën e tërë hundëmbyllur, dreqi ta hajë?

ME TE LEXUARAT