35 vite nga eksodi i “Vlorës”/ “La Stampa” rikthen historinë e 20 mijë shqiptarëve: Ata janë njerëz

Aktualitet

35 vite nga eksodi i “Vlorës”/ “La Stampa” rikthen

35 vite pas eksodit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve drejt Italisë, gazeta italiane “La Stampa” rikthen në vëmendje historinë e anijes “Vlora”, e cila më 8 gusht 1991 mbërriti në portin e Barit me rreth 20 mijë shqiptarë në bord.

Reportazhi i gjatë i kushtohet jo vetëm një prej momenteve më të forta të historisë së emigracionit shqiptar, por edhe mënyrës se si ajo ngjarje shihet sot nga fëmijët e atyre që ndodheshin në anije.

“Anija e ndryshkur e mallrave është ankoruar në port. Skela është e mbushur me burra dhe gra. Një Tetris i dëshpëruar mishi dhe djerse, sytë e tyre të etur për të ardhmen”, shkruan “La Stampa”, duke rikthyer pamjet e atij 8 gushti.

Mes personave të intervistuar është edhe Klea Meksi, 24 vjeçe, studente historie në Bolonjë, prindërit e së cilës ndodheshin në bordin e “Vlorës”.

Ajo tregon se fotografia ikonike e zbarkimit është pjesë e kujtesës së saj familjare dhe se çdo vit, më 8 gusht, ajo e kujton atë ngjarje si pjesë të identitetit të saj.

“Për mua, është një burim krenarie; është pjesë e identitetit tim. Është një histori që është si personale ashtu edhe universale”, shprehet ajo.

“Ata janë njerëz”

Reportazhi rikthen edhe reagimin e qytetit të Barit ndaj mijëra shqiptarëve që mbërritën në port. Ndërsa një pjesë e banorëve u ofruan ushqim dhe ndihmë, autoritetet italiane vendosën që emigrantët të riatdhesoheshin.

Kryebashkiaku i atëhershëm i Barit, Enrico Dalfino, kërkoi që situata të trajtohej si një operacion humanitar dhe jo thjesht si një çështje policore.

“Ata janë njerëz; ne jemi shpresa e tyre e vetme. Nuk mund t'i kthejmë mbrapsht”, citohet të ketë thënë ai.

Mijëra shqiptarë u dërguan më pas në stadiumin “Stadio della Vittoria”, ku qëndruan në kushte të vështira përpara se shumica të riktheheshin në Shqipëri.

Për shumë prej tyre, megjithatë, historia nuk përfundoi aty. Një pjesë u rikthye në Itali dhe ndërtoi atje jetën, familjet dhe të ardhmen.

Nga “barbarët” e vitit 1991 te emigracioni i sotëm

“Vlora” shihet sot si një pikë kthese në historinë e migracionit shqiptar drejt Italisë. Përmes dëshmive të fëmijëve të emigrantëve të atëhershëm, “La Stampa” e lidh atë histori edhe me debatet e sotme për emigracionin në Evropë.

Klea Meksi e lidh mënyrën se si shqiptarët u përshkruan në vitin 1991 me mënyrën se si emigrantët trajtohen dhe portretizohen sot.

“Njerëzit shpesh çnjerëzohen”, shprehet ajo, duke kujtuar se edhe shqiptarët e “Vlorës” u përshkruan në atë kohë si “pushtues” dhe “barbarë”, ndërsa pas mijëra fytyrave fshiheshin histori dhe jetë njerëzore.

Sipas saj, historia e “Vlorës” mbetet aktuale pikërisht për shkak të mënyrës se si Evropa vazhdon të përballet me fenomenin e migracionit.

35 vite më vonë, shqiptarët që mbërritën me atë anije nuk janë më “të huajt” e vitit 1991. Ata janë bërë pjesë e shoqërisë italiane, kanë krijuar familje dhe kanë lënë pas një histori integrimi që sot, siç thekson “La Stampa”, nuk përbën më lajm.

Reportazhi rikthehet në vëmendje në një kohë kur emigracioni vijon të jetë një nga çështjet më të debatueshme në Evropë, duke ngritur pyetjen nëse kontinenti ka mësuar nga historitë e së kaluarës./Burimi: La Stampa

ME TE LEXUARAT