Aktet e qeverisë cenojnë të drejtën për protestë, studentët dhe shoqëria civile i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Studentët dhe organizatat e shoqërisë civile në Kushtetuese, kundërshtojnë paketën e qeverisë për protestat
Studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, do t’i drejtohen sot Gjykatës Kushtetuese me tre ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026.
Përmes një njoftimi publik, grupimet bëjnë me dije se depozitimi i ankimimeve do të bëhet këtë të enjte, më 5 nëntor, në orën 14:00. Ata kundërshtojnë dispozitat që, sipas tyre, cenojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.
Në këtë nismë janë bashkuar edhe Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.
Ankimet lidhen me Aktin Normativ nr. 5/2026, Aktin Normativ nr. 6/2026 dhe VKM-në nr. 815/2026.
Sipas studentëve dhe organizatave, akti i parë i jep policisë kompetenca të zgjeruara për kufizimin e protestave pranë institucioneve, largimin e qytetarëve nga zonat e mbrojtura, si dhe ndërhyrjen ndaj përmbajtjeve të publikuara në rrjetet sociale. Ai parashikon gjithashtu gjoba deri në 500 mijë lekë.
Ndërsa Akti Normativ nr. 6/2026 kundërshtohet për shkak të përgjegjësisë solidare që parashikon për organizatorët e protestave lidhur me dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë, si dhe për aplikimin e sanksioneve për veprime të kryera përpara hyrjes së tyre në fuqi.
Në fokus të kundërshtimeve është edhe VKM-ja nr. 815/2026, e cila, sipas ankuesve, parashikon krijimin e një regjistri policor që mund të sjellë kufizime të lëvizjes jashtë vendit pa një vendim gjykate, si dhe njoftimin e institucioneve dhe strukturave hoteliere për personat e përfshirë në të.
Studentët dhe organizatat kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi dhe të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Ata argumentojnë se masat e parashikuara mund të cenojnë edhe qytetarët që nuk kanë kryer akte dhune, duke vënë në pikëpyetje parimin e përgjegjësisë individuale.
Sipas tyre, ankimet do të ruajnë objektin e shqyrtimit edhe në rast se Kuvendi i miraton aktet normative, pasi Gjykatës i është kërkuar që kontrolli kushtetues të përfshijë edhe ligjet miratuese.
Në reagimin e tyre, studentët shprehen kundër asaj që e konsiderojnë kufizim të hapësirës për kundërshtim dhe pjesëmarrje demokratike, duke theksuar se protestat dhe shprehja e mendimit nuk duhet të trajtohen si arsye për ndëshkim nga shteti.
“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë”, thuhet në reagimin e tyre.


