Vr;asje e trafik dro;ge, nga Nuredin Dumani te Erion Alibej,SPAK kërkon 299 vite burg për 15 të pandehurit

SPAK ka dhënë prentencën duke kërkuar 299 vjet burg në total për 15 të pandehurit e dosjes më të bujshme të krimit të organizuar Plumbi i Artë.
Prokuroja Doloreza Musabelliu ka kërkuar vetëm 10 vjet për bashkëpunëtorin e drejtësisë Nuredin Dumani.
Operacioni “Plumbi i Artë” u zhvillua nga SPAK në mars të vitit 2022, pas arrestimit të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, të cilët më pas vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë. Dëshmitë e tyre zbardhën një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, përfshirë vrasje me pagesë, atentate të mbetura në tentativë dhe përplasje mes grupeve kriminale, kryesisht në Elbasan, Durrës dhe Tiranë.
Nga hetimet e SPAK u zbardhën 18 ngjarje kriminale, ndërsa u identifikuan dhjetëra persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e grupeve kriminale. Mes ngjarjeve të zbardhura janë vrasja e Emiljano Ramazanit, ekzekutimi i vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, vrasja e Fatmira Dedjes dhe ajo e Bujar Çelës në Elbasan.
Hetimet zbuluan gjithashtu porosi për eliminimin e personave të tjerë, kundrejt pagesave që arrinin në qindra mijëra euro.
Një prej elementeve kryesore të hetimit ishte edhe përdorimi i platformës së enkriptuar Sky ECC, përmes komunikimeve të së cilës SPAK siguroi prova për organizimin dhe koordinimin e episodeve të ndryshme kriminale. Në proces janë përfshirë emra të njohur të botës së krimit, ndërsa dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë kanë qenë një prej bazave kryesore të akuzës.


