Aksidenti hekurudhor në Spanjë, publikohen pistat e para të hetimit

Hetimet për aksidentin e rëndë hekurudhor në Toledo të Spanjës po përqendrohen te një defekt i mundshëm në sistemin e sigurisë hekurudhore dhe një gabim njerëzor në qendrën e kontrollit.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, një nga pistat kryesore është një problem në sistemin automatik të sinjalizimit LZB, i cili mund të ketë bërë që qarkullimi i trenave të kalonte përkohësisht nën një regjim alternativ kontrolli.
Sipas raportimeve paraprake, pas ndalimit të disa trenave për shkak të problemit teknik, një tren Iryo mbeti në shina, ndërsa një punonjës i qendrës së kontrollit në Atocha dyshohet se i dha gabimisht leje trenit AVE të Renfe-s për të vijuar lëvizjen, pavarësisht se linja nuk ishte e lirë. Kjo mund të ketë çuar në përplasjen nga pas mes dy trenave.
Në dy trenat e përfshirë në aksident udhëtonin gjithsej 544 persona. Në trenin AVE të Renfe-s ndodheshin 397 pasagjerë, ndërsa në trenin Iryo udhëtonin 146 pasagjerë dhe një foshnjë.
Megjithatë, këto janë pista të raportuara nga mediat dhe burime pranë hetimit, jo përfundime zyrtare. Autoritetet spanjolle po analizojnë sistemet e sigurisë dhe sekuencën e ngjarjeve për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.


