A do të rritet bileta për qytetarët? Konfindustria kërkon ndryshime në Paketën Fiskale 2027

Konfindustria i ka paraqitur Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvend propozimet për përmirësimin e projekt-Paketës Fiskale 2027, duke kërkuar masa institucionale që të garantojnë mbrojtjen e interesit publik dhe të konsumatorëve.
Në fokus të propozimeve janë ndryshimet e parashikuara për taksimin e karburanteve dhe automjeteve. Konfindustria kërkon që heqja e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër, plus TVSH, të reflektohet plotësisht në çmimin final të karburanteve dhe të mos përfundojë si fitim shtesë për tregtarët apo si e ardhur për buxhetin e shtetit.
Gjithashtu, organizata propozon që çmimet e karburanteve në Shqipëri të mos jenë më të larta se mesatarja e vendeve fqinje, si Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi. Sipas saj, edhe taksa vjetore e automjeteve duhet të mbahet në nivelin mesatar të këtyre vendeve.
Konfindustria shpreh shqetësimin se zbatimi i paketës fiskale, në formën e paraqitur nga qeveria, mund të sjellë rritje të mëtejshme të kostove të transportit për qytetarët dhe bizneset, me një ndikim që, sipas vlerësimit të saj, mund të arrijë të paktën 200 milionë euro.
Sipas Konfindustrisë, mungesa e konkurrencës në tregun e karburanteve, të cilin e cilëson si kartel dhe oligopol, krijon rrezikun që ulja e taksës së qarkullimit të mos përcillet te konsumatorët. Në këtë mënyrë, përfitimi mund të mbetet te tregtarët, ndërsa qytetarët dhe bizneset do të përballen me rritjen e taksave vjetore të automjeteve.
Organizata thekson se taksa e qarkullimit siguron aktualisht rreth 230-240 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit dhe se zëvendësimi i saj me rritjen e taksave vjetore të mjeteve mund të sjellë një barrë më të madhe për qytetarët dhe bizneset, nëse nuk garantohet ligjërisht ulja e çmimit të karburanteve.
Në reagimin e saj, Konfindustria paralajmëron se mosmarrja parasysh e propozimeve mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, prodhimin vendas dhe tërheqjen e investimeve, si dhe të shtojë rrezikun e falimentimeve dhe të uljes së mirëqenies së qytetarëve.
Deklarata mban firmën e Gjergj Buxhukut, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë.


