87-vjeçares i rritën qiranë nga 500 në 2.600 euro dhe e dëbuan nga shtëpia, vazhdojnë protestat

Bota

1790685478_spanje.jpg
Spanja ka vendosur të pezullojë deri në vitin 2030 dëbimet nga banesat për personat që konsiderohen vulnerabël, pas protestave që shpërthyen nga rasti i 87-vjeçares Maricarmen Abascal. Paketa e masave është pagëzuar tashmë si “Dekreti Maricarmen”.
 
Prej disa ditësh, rreth 500 persona janë vendosur me tenda në Puerta del Sol, një nga sheshet kryesore të Madridit, duke protestuar për krizën e strehimit. Kërkesa e tyre kryesore është e drejta për strehim.

Në qendër të protestave është historia e Maricarmen Abascal, 87-vjeçares me aftësi të kufizuara që u dëbua nga apartamenti ku kishte jetuar për 70 vjet, pasi banesa u ble nga një kompani e madhe imobiliare.

Qiraja e saj ishte rritur nga 500 në 2.600 euro në muaj dhe më pas ishte ulur në 1.600 euro. Policia e nxori të moshuarën nga banesa, ndërsa ajo më pas përfundoi në spital. Rasti shkaktoi zemërim dhe çoi në protestat në Puerta del Sol, ku mori pjesë edhe regjisori Pedro Almodovar.

Masa emergjente e miratuar nga qeveria parashikon pezullimin e dëbimeve për katër vjet për personat vulnerabël, si dhe zgjatjen me dy vjet të kontratave të qirasë.

Ministrja e Shëndetësisë, Monica Garcia Gomez, tha se masat do të sjellin lehtësim për më shumë se 5 milionë persona.

“Dëbimet pezullohen deri në vitin 2030, ndalohet blerja e pronave nga fondet grabitqare dhe kontratat e qirasë rinovohen automatikisht”, deklaroi ajo.

“Është momenti të ndërhyjmë në tregun spekulativ të pronave dhe të fillojmë të ribalancojmë raportin mes qytetarëve dhe fondeve”, shtoi ministrja, duke ia atribuar miratimin e masave edhe protestave dhe zaptimeve: “Pa ju, kjo nuk do të ishte e mundur”.

Megjithatë, masat duhet të kalojnë edhe në Parlament, ku kryeministri socialist Pedro Sanchez nuk ka shumicën. Qeveria ka kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kongresit të Deputetëve të premten për miratimin e menjëhershëm të dy dekreteve.

Presidentja konservatore e Komunitetit të Madridit, Isabel Diaz Ayuso, e kritikoi menjëherë vendimin, duke thënë se qeveria po u jep pronarëve mesazhin se do t’ua “shpronësojë shtëpinë” nëse e japin me qira. Sipas saj, zgjidhja është ndërtimi i më shumë banesave për qira.

Kriza e strehimit në Spanjë reflektohet edhe te çmimet. Sipas institutit kombëtar të statistikave, çmimi mesatar i banesave është rritur me 12,2% brenda një viti, ndërsa qiratë me 5,8%. Kostoja e banesës merr 40% të të ardhurave për më shumë se një në katër familje, kundrejt një mesatareje europiane prej 19%.

ME TE LEXUARAT