Mësoi breza të tërë juristësh/ Ndahet nga jeta një nga personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare

Aktualitet

Mësoi breza të tërë juristësh/ Ndahet nga jeta një

Akademik Luan Omari, një prej emrave të rëndësishëm të shkencës dhe mendimit juridik shqiptar, është ndarë nga jeta më 29 tetor 2026, në moshën 101-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila vlerëson kontributin e tij shumëvjeçar në zhvillimin e shkencave juridike, arsimit të lartë dhe mendimit kushtetues në vend.

a8cEdoNg-IMG_7959.jpeg

I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Luan Omari kreu studimet për drejtësi në Beograd dhe Sofje. Gjatë karrierës së tij akademike, ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, si dhe profesor i Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës.

Omari ishte një nga anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku mbajti edhe detyrat e sekretarit shkencor dhe zëvendëskryetarit. Ai përfaqësoi gjithashtu Shqipërinë në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës dhe kontribuoi në diskutimet mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese.

Përmes dhjetëra studimeve dhe monografive, akademiku dha një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e historisë së së drejtës, sistemit juridik shqiptar dhe zhvillimit kushtetues të vendit. Pas viteve ’90, ai u përfshi në proceset dhe debatet që shoqëruan hartimin e Kushtetutës dhe legjislacionit kushtetues të Shqipërisë.

Për veprimtarinë e tij, në vitin 2016 Akademia e Shkencave i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike, ndërsa në vitin 2020 u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij, duke vlerësuar trashëgiminë që akademik Omari lë pas në shkencën dhe jurisprudencën shqiptare.

Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen më 30 tetor 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në orën 10:00 do të mbahet akademia solemne në sallën “Aleks Buda”, ndërsa nga ora 11:00 deri në 13:00 do të zhvillohen homazhet. Në orën 13:00, kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, do të mbajë fjalën e lamtumirës.

Ndarja nga jeta e Luan Omarit shënon humbjen e një personaliteti të rëndësishëm të jetës akademike shqiptare, ndërsa vepra e tij mbetet pjesë e trashëgimisë shkencore dhe juridike të vendit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion