Behgjet Pacolli e akuzoi për mashtrim, gjykata çon në shtëpi biznesmenin Valon Lluka

Biznesmeni Valon Lluka, ish-administrator i shoqërisë koncesionare ‘Vlora International Airport’ është liruar nga paraburgimi në Kosovë.
Lajmin e ka bërë me dije avokati mbrojtës i Llukës, Driton Muharremi me anë të një postimi në rrjetin social në Facebook.
Lluka ishte ndaluar pas denoncimit të biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili e kishte kallëzuar penalisht për “Mashtrim”, “Shpërdorimin e pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhjen e kontratës së dëmshme”.
“Në cilësinë e avokatit mbrojtës të z. Valon Lluka, dhe për hir të informimit të drejtë të publikut, ju njoftoj se sot, me vendim të gjyqtares së procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Valon Lluka është liruar nga paraburgimi, duke iu zëvendësuar kjo masë me dorëzani”, njoftoi avokati mbrojtës i Llukës.
Ky vendim vjen pas një procesi të rëndësishëm juridik, ku fillimisht Gjykata e Apelit kishte vlerësuar si të pabazuara pretendimet për rrezikun e ikjes dhe përsëritjes së veprës penale, ndërsa më pas Gjykata Supreme kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e mbrojtjes, lidhur me rrezikun e pretenduar për ndikim në dëshmitarë dhe asgjësim të provave, duke e kthyer çështjen në rivendosje.


