Përplasja për Veliajn në PS/ Çuçi i kërkon dorëheqjen Gogut: Ku e ke letrën e transferimit në Fier?

Politikë

Përplasja për Veliajn në PS/ Çuçi i kërkon

Deputeti socialist Bledi Çuçi i ka kërkuar dorëheqjen ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke i kërkuar letrën e transferimit të tij në burgun e Fierit. Zhvendosja e Veliajt në izolim në burgun e Fierit shkaktoi përplasje në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ndërsa Çuçi, megjithëse nuk pranoi të bëjë një koment për gazetarët, nuk i mohoi debatet pas dyerve të mbyllura.

Transferimi i kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fierit, të cilin ai e cilësoi si rrëmbim, shkaktoi përplasje të forta mes socialistëve në mbledhjen e grupit parlamentar. Deputeti socialist Bledi Çuçi i kërkoi dorëheqjen ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe debatoi me të lidhur me dokumentacionin e transferimit të Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në Fier.

Burime bënë me dije se në mbledhjen e grupit parlamentar, Çuçi i ka kërkuar letrën e transferimit të Veliajt ministrit të Drejtësisë, duke i thënë që, nëse nuk e ka me vete, duhet të japë dorëheqjen. Në përfundim të seancës plenare, i pyetur nga gazetarët, Çuçi nuk bëri komente, por as nuk i mohoi deklaratat në grupin parlamentar socialist.

Ndërsa transferimi i papritur i Veliajt në izolim në burgun e Fierit u pa si një hakmarrje e rivales së tij të vjetër në Partinë Socialiste, Belinda Balluku, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, nuk bëri komente për debatet që shkaktoi kjo çështje mes socialistëve, duke thënë se janë diskutime brenda grupit.

Nga ana tjetër, Balla nuk i kurseu vlerësimet për Belinda Ballukun, duke e cilësuar si një nga deputetet më aktive në qarkun e Fierit, megjithëse ish-zëvendëskryeministrja vjen në Kuvend vetëm kur duhet të ngrejë kartonin, për të plotësuar shumicën prej 84 votash.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion