Goditja në tru po prek edhe moshat e reja, 5 faktorët e fshehtë që rrisin rrezikun

Kur Claire Arnopp, një nënë e tre fëmijëve me një jetë të ngarkuar, u tërhoq për disa minuta në banjë për të porositur paraprakisht vaktet e drekës së shkollës për vajzën e saj, as që i shkoi në mendje se do të dilte prej andej pa qenë në gjendje të lëvizte njërën anë të trupit dhe me vështirësi të mëdha në të folur.
“Ndjeva një valë të çuditshme që më përshkoi shpinën, pothuajse si një të dridhur“, kujton Arnopp, nga Welwyn Garden City, në Hertfordshire. Në atë kohë ajo ishte 39 vjeçe. “Gjëja tjetër që mbaj mend është se telefoni që kisha mbajtur në dorë ndodhej në dysheme, pranë këmbëve të mia. Mbaj mend që u ndjeva e hutuar, sepse nuk e pashë dhe as nuk e dëgjova të binte. Por, kur u përkula për ta marrë, nuk mund ta mblidhja dorën grusht. Krahu më ishte i lëshuar dhe ana e majtë e fytyrës më ishte mpirë. Pastaj kuptova se edhe të folurit më ishte bërë i paqartë. Ndjenja mbizotëruese ishte tmerri”.
Tashmë 41 vjeçe, ajo tregon se i njohu simptomat si shenja të një goditjeje në tru, por gjithsesi u trondit kur mjekët konfirmuan se kishte pësuar një aksident cerebrovaskular (termi mjekësor për goditjen në tru).
“Mendoja se goditja në tru ishte diçka që u ndodhte njerëzve në moshë të madhe, jo diçka që mund të prekte një grua rreth të tridhjetave”, thotë ajo.
Claire Arnopp ishte 39 vjeçe kur pësoi një goditje në tru, ndërsa ndodhej në banjën e shtëpisë së saj.
Rritja e numrit të të rinjve që pësojnë goditje në tru
Arnopp nuk është aspak e vetme. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit (NIH), gjatë dekadës së fundit, numri i goditjeve në tru te të rriturit e rinj në moshë pune (18–65 vjeç) është rritur me 44 për qind.
“Nevojiten më shumë kërkime”, thekson Maeva May, drejtoreshë e politikave dhe kërkimit në Shoqatën për Goditjet në Tru, e cila ka punuar për 14 vitet e fundit në fushën e politikave dhe kërkimit shkencor.
“Faktorët kryesorë të rrezikut, përfshirë tensionin e lartë të gjakut, diabetin dhe obezitetin, janë në rritje, por kjo nuk lidhet vetëm me një grupmoshë të caktuar. Është e rëndësishme të mos supozohet se dikush që pëson goditje në tru në të dyzetat ka ndjekur një mënyrë jetese jo të shëndetshme”.
Deb Lowe, profesore e mjekësisë së goditjeve në tru në Universitetin e Lancashire dhe drejtoreshë mjekësore e Shoqatës për Goditjet në Tru, është dakord.
“Goditja në tru bëhet më e shpeshtë me rritjen e moshës, por sot një në katër goditje ndodh te personat nën moshën 65 vjeç”, thotë ajo. “Është e vështirë të përcaktohet një shkak i vetëm mund të jetë një kombinim befasues faktorësh”.
Profesoresha Deb Lowe, drejtoreshë mjekësore e Shoqatës për Goditjet në Tru, thotë se sot një në katër goditje në tru ndodh te personat nën moshën 65 vjeç.
Edhe pse Arnopp kishte shfaqur disa nga simptomat më të njohura të goditjes në trurënien e njërës anë të fytyrës, dobësinë e krahut dhe të folurit e paqartë ajo mësoi më vonë se kishte përjetuar edhe një shenjë tjetër paralajmëruese, më pak të njohur, shumë më herët.
“Në periudhën para goditjes në tru, pata një migrenë me aurë që zgjati tri ditë”, thotë ajo. “Nuk e kuptoja se mund të kishte lidhje”.
Më poshtë, paraqesim disa nga faktorët më pak të njohur që mund të kontribuojnë në shfaqjen e goditjeve në tru në moshën e mesme.
Përjetimi i migrenës me aurë
Sipas një studimi të botuar në revistën Neurology Today, personat në moshën e mesme që kanë një histori migrene me aurë (e karakterizuar nga ndryshime të shikimit, si dritat vezulluese, ndjesi të pazakonta ose vështirësi në të folur) kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa të pësojnë një goditje ishemike në tru (kur një mpiksje gjaku ndërpret furnizimin e trurit me oksigjen) krahasuar me ata që nuk vuajnë nga migrena.
Personat që vuajnë nga migrena pa aurë nuk kanë të njëjtin nivel rreziku.
Megjithëse arsyeja e kësaj lidhjeje nuk është e qartë, rreziku duket se rritet më tej te “gratë që pinë duhan, kanë faktorë të tjerë rreziku për goditjen në tru ose përdorin kontraceptivë që përmbajnë estrogjen”, thotë May.
Maeva May, drejtoreshë e politikave dhe kërkimit në Shoqatën për Goditjet në Tru, paralajmëron se migrena me aurë mund të rrisë rrezikun e goditjes në tru.
Gërhitja e fortë
Gërhitja jashtëzakonisht e fortë mund të jetë shenjë e apnesë obstruktive të gjumit, një çrregullim që Organizata Evropiane e Goditjeve në Tru e ka lidhur me rritjen e rrezikut për të pësuar një goditje në tru.
“Apnea obstruktive e gjumit ndërpret vazhdimisht frymëmarrjen gjatë gjumit, duke shkaktuar uljen e nivelit të oksigjenit dhe duke e vënë trupin nën stres. Me kalimin e kohës, këto episode të përsëritura mund të kontribuojnë në rritjen e tensionit të gjakut, inflamacionin dhe ndryshimet në enët e gjakut dhe në zemër, të cilat janë të gjitha faktorë me rëndësi”, thotë May.
“Ajo lidhet ngushtë me mbipeshën, ndaj në moshën e mesme mund të bëhet më e dukshme. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se rreziku rritet te gratë gjatë periudhës së menopauzës dhe pas saj. Meqenëse kjo ndodh gjatë gjumit, shumë njerëz nuk e kuptojnë se vuajnë nga ky çrregullim. Gërhitja e fortë, ndërprerjet e frymëmarrjes të vërejtura nga të tjerët dhe lodhja e vazhdueshme gjatë ditës janë të gjitha arsye për t’u konsultuar me mjekun e familjes”.
Pësimi i dëmtimit të qafës nga lëvizjet e papritura
“Një dëmtim i qafës qoftë nga një traumë e lehtë, ngritja e peshave të rënda apo lëvizjet e papritura të qafë mund të shkaktojë diseksion të arteries karotide ose vertebrale, që është një çarje e shtresës së brendshme të enës së gjakut”, thotë profesoresha Lowe.
Kjo çarje mund të ndodhë gjatë ushtrimit të sporteve me intensitet të lartë, ngritjes së peshave, përdorimit të trenave të argëtimit me lëvizje të forta ose edhe nga zgjatja e tepërt e qafës në pozicione ekstreme të jogës. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, ky dëmtim është lidhur me goditjet në tru te të rriturit e rinj.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur një person që nuk është mësuar me aktivitet fizik intensiv fillon papritur të kryejë ushtrime të forta”, shton doktoresha Suzanne Wylie, mjeke e përgjithshme në IQ Doctor.
Doktoresha Suzanne Wylie, mjeke e përgjithshme në IQ Doctor, paralajmëron se personat që nuk janë mësuar me ushtrime intensive mund të jenë më të prirur ndaj dëmtimeve të qafës nëse fillojnë papritur të ushtrohen me intensitet të lartë.
Të jetuarit në qytet
Sipas Shoqatës për Goditjet në Tru, vlerësohet se ndotja e ajrit është përgjegjëse për 14 për qind të të gjitha vdekjeve nga goditjet në tru dhe për rreth 11 000 vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit.
Cila është lidhja?
“Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit mund të bëjë që grimcat e imëta të depërtojnë thellë në mushkëri dhe madje të hyjnë në qarkullimin e gjakut, ku mund të kontribuojnë në inflamacion dhe dëmtimin e sistemit kardiovaskular”, shpjegon May. “Ndotja e ajrit lidhet gjithashtu me rritjen e tensionit të gjakut faktori më i rëndësishëm i modifikueshëm i rrezikut për goditjen në tru”.
Megjithatë, ajo dëshiron të theksojë se “kjo nuk ka të bëjë me detyrimin e individëve për të eliminuar ekspozimin e tyre ndaj ndotjes“. Përkundrazi, ajo argumenton se”ndotja e ajrit është një çështje e shëndetit publik ulja e saj kërkon veprim në nivel shoqëror”.
Qëndrimi ulur për periudha të gjata
Studimet tregojnë se qëndrimi ulur për periudha të gjata zakonisht 13 orë në ditë ose më shumë mund ta rrisë me 44 për qind rrezikun për të pësuar një goditje në tru.
Për më tepër, studiuesit zbuluan se qëndrimi ulur për më shumë se 17 minuta pa ndërprerje e rrit këtë rrezik, krahasuar me qëndrimin ulur për periudha të shkurtra, të përcaktuara si tetë minuta ose më pak.
Çfarë do të thotë e gjithë kjo për punonjësit e zyrave që kalojnë orë të tëra të ngujuar pas tavolinave të tyre?
“Mungesa e zgjatur e aktivitetit fizik ndikon në mënyrën se si trupi ynë rregullon elemente si sheqeri në gjak, tensioni i gjakut dhe yndyrnat në gjak të gjitha këto kanë rëndësi për shëndetin tonë kardiovaskular afatgjatë“, thotë May.
“Për shumë njerëz, mosha e mesme përkon me vite të tëra pune në zyrë, ndaj ia vlen të mendojmë për lëvizjen si diçka që duhet ta përfshijmë gjatë ditës së punës, në vend që ta bëjmë vetëm në palestër. Nëse kaloni shumë kohë ulur në tavolinë, ngritja e rregullt në këmbë, përdorimi i shkallëve ose ndërprerja e periudhave të gjata të qëndrimit ulur me pak aktivitet fizik të lehtë janë të gjitha të dobishme. Gjatë javës, të rriturit duhet të synojnë të kryejnë rreth 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar”.
Si ta zvogëloni rrezikun
Të dyja ekspertet theksojnë se shumica e goditjeve në tru janë rezultat i një kombinimi faktorësh mjekësorë dhe të stilit të jetesës, dhe jo pasojë e një ore të vetme veçanërisht të keqe joge.
Megjithatë, ato theksojnë gjithashtu se 90 për qind e goditjeve në tru janë të parandalueshme dhe se ndryshimet në stilin e jetesës mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut gjatë moshës së mesme.
“Ushtrimet e rregullta fizike, moskonsumimi i duhanit dhe mos përdorimi i cigareve elektronike, shmangia e konsumimit të alkoolit përtej sasive të rekomanduara dhe ndjekja e një diete mesdhetare mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut”, thotë profesoresha Lowe.
“Nëse keni tension të lartë të gjakut, kolesterol të lartë, diabet ose fibrilacion atrial, trajtimi efektiv i këtyre gjendjeve është një mënyrë për të parandaluar goditjen në tru”, shton May. “Por jo çdo goditje në tru mund të parandalohet: ato mund të ndodhin edhe te njerëzit që duket se kanë bërë gjithçka siç duhet. Vetëm kërkimet e mëtejshme do të na ndihmojnë të kuptojmë plotësisht arsyet”./TheTelegraph


