Zbuloi “grimcat fantazmë” të universit, Francis Halzen shpallet fitues i Nobelit në Fizikë

Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2026 i është dhënë astrofizikani Francis Halzen, për punën e tij pioniere në zhvillimin e Observatorit të Neutrinove IceCube në Antarktidë. Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave njoftoi çmimin të martën në Stokholm, duke vlerësuar kontributin e Halzen në krijimin e një observatori gjigant që mundëson studimin e neutrinove, grimca subatomike të ardhura nga hapësira e thellë.
Kryetari i Komitetit Nobel, Mark Pearce, tha se puna e Halzen ka hapur rrugën për një formë të re të astronomisë. “Këmbëngulja dhe vizioni i tij shkencor i kanë hapur rrugën një lloji të ri astronomie”, deklaroi Pearce.
Halzen, profesor në Universitetin e Wisconsin-Madison, tha se marrja e çmimit ishte një “surprizë e madhe” dhe një kënaqësi e veçantë.
Ai prezantoi idenë për ndërtimin e observatorit në vitin 1988, duke propozuar përdorimin e akullit të Antarktidës për zbulimin e neutrinove. Projekti u shndërrua më vonë në Observatorin IceCube, një strukturë masive me sensorë të vendosur thellë në akull.
Neutrinot njihen shpesh si “grimcat fantazmë”, pasi kanë masë jashtëzakonisht të vogël, nuk kanë ngarkesë elektrike dhe mund të kalojnë përmes materies pa u ndikuar pothuajse fare. Kjo i bën ato veçanërisht të vlefshme për studimin e fenomeneve më të largëta dhe ekstreme të universit. Observatori IceCube i zbulon ato përmes shkëndijave të dritës që krijohen kur neutrinot përplasen me bërthamat atomike në akull.
Sipas ekspertëve, megjithëse ndërtimi i observatorit është rezultat i punës së qindra studiuesve dhe inxhinierëve, ideja fillestare e Halzen ishte pikënisja e këtij projekti shkencor. “U desh një ekip prej qindra njerëzish për ta ndërtuar atë, por gjithçka filloi me një person të vetëm”, tha Richard Fitzgerald, kryeredaktor i Physics Today.


