Tronditëse/ Ndahet papritur nga jeta ish-talenti i Anglisë dhe Manchester City-t

Sport

RbLnSz9n-11221_sd (1).webp

Ish-futbollisti i akademisë së Manchester City dhe ish-kapiteni i Anglisë U-18, Courtney Meppen-Walter, ka ndërruar jetë në moshën 32-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar ish-klubi i tij, Bury FC, përmes një deklarate në rrjetet sociale.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë Courtney Meppen-Walter, në moshën 32-vjeçare. Mendimet dhe ngushëllimet e të gjithëve në Bury FC janë me familjen dhe miqtë e tij në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në deklaratën e klubit.

Meppen-Walter ishte mbrojtës dhe konsiderohej një prej talenteve të Manchester City në moshat e reja. Ai mbajti gjithashtu shiritin e kapitenit të Anglisë U-18.

Gjatë karrierës së tij, ai luajti për disa klube angleze, mes tyre Carlisle United, Stockport County, Chorley, Telford United, Nantwich Town dhe Guiseley. Me Guiseley, ku luajti nga viti 2022 deri në vitin 2024, ai fitoi edhe çmimin “Lojtari i sezonit i zgjedhur nga trajneri” për sezonin 2022/23.

Edhe klubet e tjera ku ka luajtur kanë shprehur dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta.

Kryetari i Nantwich Town, Jon Gold, e përshkroi Meppen-Walter si një person me karakter të fortë dhe “zemër të madhe”, duke theksuar se ai kishte lënë një gjurmë të rëndësishme te bashkëlojtarët dhe tifozët.

Ndërkohë, Guiseley AFC deklaroi se ishte “i tronditur” nga lajmi dhe shprehu ngushëllimet për familjen dhe miqtë e ish-mbrojtësit.

Deri tani, nuk janë bërë publike detaje mbi shkaqet apo rrethanat e vdekjes së Courtney Meppen-Walter.

Emri i tij ishte përmendur më herët edhe në raportimet e kronikës në Angli. Në vitin 2013, ai u dënua me 16 muaj burg pasi u shpall fajtor për shkaktimin e vdekjes së dy personave, Kulwant Singh dhe Ravel Kaur, në një aksident rrugor të vitit 2012.

Në vitin 2019, ish-futbollisti u paraqit sërish para gjykatës për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Ai u ndalua nga drejtimi i automjetit për 22 muaj dhe u dënua me një masë komunitare 12-mujore, si dhe me 80 orë punë të papaguar.

 

ME TE LEXUARAT