Tregu global i naftës drejt stabilizimit/ Oferta pritet të tejkalojë kërkesën, rimëkëmbet furnizimi nga Lindja e Mesme

Tregu botëror i naftës jep sinjalet e para të stabilizimit pas muajsh pasigurie dhe ndërprerjesh në furnizim. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që gjatë tremujorit të fundit të vitit oferta globale të tejkalojë kërkesën, për herë të parë që nga nisja e luftës në Iran. Rimëkëmbja e eksporteve nga Lindja e Mesme po ecën më shpejt se rritja e konsumit, pavarësisht rreziqeve që vijojnë të kërcënojnë transportin detar.
Tregu botëror i naftës pritet të hyjë në një fazë të re stabilizimi, pasi oferta globale mund të tejkalojë kërkesën gjatë tremujorit të fundit të vitit. Ky është vlerësimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, sipas raportit të saj më të fundit për tregun e naftës.
Për herë të parë që nga nisja e luftës në Iran, furnizimi global pritet të jetë më i lartë se konsumi. Një zhvillim që sinjalizon lehtësim të presionit mbi tregjet ndërkombëtare, pas muajsh të tërë pasigurie, ndërprerjesh në furnizim dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas raportit, një nga faktorët kryesorë që po ndikon në këtë ndryshim është rimëkëmbja më e shpejtë e eksporteve të naftës nga vendet e Lindjes së Mesme. Furnizimi po rikthehet me ritme më të larta sesa rritja e kërkesës globale, duke krijuar kushtet për një tepricë të ofertës në treg.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të vështirë për sektorin energjetik, kur lufta në Iran dhe sulmet ndaj transportit detar krijuan shqetësime serioze për sigurinë e furnizimit. Rreziqet në rrugët kryesore të transportit të naftës vijojnë të mbeten prezente, por ndikimi i tyre në treg duket se po zbutet.
Megjithatë, parashikimi për një tepricë të ofertës nuk do të thotë se kriza ka përfunduar. Tensionet gjeopolitike, sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe pasiguria në transportin detar mund të ndikojnë sërish në çmimet e naftës.
Për momentin, sinjalet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë tregojnë se tregu po largohet gradualisht nga mungesa e furnizimit dhe po shkon drejt një ekuilibri të ri, ku prodhimi mund të jetë më i madh se kërkesa botërore.


