Tre të mëdhenjtë e globit takohen javën tjetër: Çfarë do të vendosin për fatin e botës dhe pse është e shqetësuar Europa?

Presidenti amerikan Donald Trump, nuk e ka fshehur asnjëherë bindjen se marrëdhëniet mes fuqive të mëdha, duhet të përcaktojnë drejtimin e politikës ndërkombëtare.
Mosbesimi i tij ndaj aleancave shumëpalëshe dhe qasja ndaj tregtisë e diplomacisë rikujtojnë një epokë kur parimi “forca përcakton të drejtën” mbizotëronte në marrëdhëniet mes shteteve.
Prandaj, konfirmimi i një takimi trepalësh të paprecedentë mes presidentit amerikan, Vladimir Putinit dhe Xi Jinpingut nuk ishte krejt i papritur.
Por për Putinin, ky takim përbën një sukses të rëndësishëm diplomatik dhe mund të ndikojë në mënyrën se si do të trajtohen çështjet e sigurisë në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Një tryezë, shumë interesa
Sipas Shtëpisë së Bardhë, tre presidentët do të takohen në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet më 18-19 nëntor në qytetin kinez Shenzhen.
Data e saktë e takimit trepalësh ende nuk është përcaktuar. Trump pritej të takohej me Xi Jinpingun, por ka kërkuar të përfshinte edhe Putinin, për të diskutuar kontrollin e armëve bërthamore dhe mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për luftën me Iranin, e cila ka shkaktuar edhe rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve.
Për Kinën, takimi është një mundësi për të konsoliduar rolin e saj si fuqi globale dhe për të treguar se mund të ndikojë në zgjidhjen e krizave ndërkombëtare. Pekini mund të përpiqet gjithashtu të ndikojë në qëndrimet e Trumpit për çështje të rëndësishme për interesat kineze.
Një prej temave kryesore pritet të jetë kontrolli i armëve bërthamore. Pas skadimit, në shkurt, të marrëveshjes së fundit bërthamore mes SHBA-së dhe Rusisë, New START, Trump hodhi poshtë propozimin e Kremlinit për zgjatjen e saj.
Në vend të kësaj, ai kërkon një marrëveshje të re, të modernizuar, ku të përfshihet edhe Kina. Trump synon gjithashtu t’i bindë Putinin dhe Xi Jinpingun të ushtrojnë presion më të madh mbi Iranin, me shpresën se kjo do të ndihmojë në përfundimin e luftës që nisi në shkurt.
Rusia dhe Kina, janë dy prej aleatëve më të afërt të Teheranit dhe kanë vazhduar t’i ofrojnë mbështetje ekonomike e ushtarake gjatë konfliktit.
Pse është e shqetësuar Europa?
Në kryeqytetet europiane, takimi shihet me kujdes dhe shqetësim. Frika kryesore është se Putini mund të shfrytëzojë këtë mundësi për të ndikuar te Trumpi lidhur me luftën në Ukrainë dhe arkitekturën e sigurisë europiane.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump dëshiron të shmangë diskutimin për Ukrainën. Ndërkohë, mediat ruse kanë ngritur mundësinë që tre liderët të kërkojnë një zgjidhje për konfliktin.
Në Ukrainë, por edhe në vende të tjera europiane, kjo mundësi ka ngjallur frikën e një marrëveshjeje të arritur mbi kokat e vendeve të prekura.
Zyrtarët ukrainas e kanë krahasuar takimin me një “Jaltë 2.0”, duke iu referuar konferencës së vitit 1945, kur SHBA-ja, Britania dhe Bashkimi Sovjetik përcaktuan sferat e ndikimit në Europën e pasluftës.
Edhe ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, e ka lidhur takimin e ardhshëm me atë precedent historik. Sipas tij, marrëveshja e Jaltës njohu dominimin sovjetik mbi territoret e Evropës Lindore të kontrolluara nga Ushtria e Kuqe.
Tani, sipas Sikorskit, Putini kërkon t’i jepen territore ukrainase që nuk ka arritur t’i pushtojë me forcë. Megjithatë, disa ekspertë e konsiderojnë të pamundur përsëritjen e Jaltës. Alicja Bachulska, nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, argumenton se SHBA-ja, Rusia dhe Kina nuk kanë të njëjtat interesa strategjike për ndarjen e botës në sfera ndikimi.
Ajo thekson gjithashtu se Kina nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se mbështet marrëveshjet mes fuqive të mëdha në dëm të vendeve më të vogla.
Edhe Kremlini është përpjekur të zbusë krahasimet me Jaltën. Zëdhënësi Dmitry Peskov e cilësoi takimin “jashtëzakonisht të rëndësishëm”, por tha se rendi i ri botëror duhet të mbështetet te respekti dhe përfitimi i ndërsjellë, pa imponuar një model të caktuar.
A mund të sjellë takimi një zgjidhje për Iranin?
Ndryshe nga lufta në Ukrainë, Trump duket i interesuar ta vendosë konfliktin me Iranin në qendër të diskutimeve. Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit dhe rritja e çmimeve të karburanteve, kanë shkaktuar pasoja ekonomike dhe politike në SHBA.
Vetë presidenti amerikan, e ka pranuar se lufta ndikoi edhe në humbjet e republikanëve në zgjedhjet e fundit të mesit të mandatit. Rusia dhe Kina mund të ushtrojnë presion mbi Teheranin për ta rikthyer në tryezën e negociatave.
Zyrtarët iranianë kanë lënë të kuptohet se Moska është e gatshme të ndërmjetësojë bisedimet me Uashingtonin, ndërsa edhe Putini ka shprehur gatishmëri për një rol të tillë.
Megjithatë, qëndrimi i Moskës mbetet kontradiktor. Rusia ka vazhduar t’i furnizojë iranianët me armë dhe teknologji me përdorim të dyfishtë.
Edhe Kina nuk ka dhënë shenja se do të shkëpusë lidhjet e saj të thella ekonomike me Iranin dhe vijon të blejë naftë iraniane, pavarësisht kërcënimeve amerikane.
Për Trump, problemi është se nuk dihet çfarë mund t’u ofrojë Putinit dhe Xi-së për t’i bindur të ndryshojnë qëndrim. Pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, presidenti amerikan hyn në dy vitet e fundit të presidencës me ndikim politik më të kufizuar.
Kështu, takimi i Shenzhenit mund të shndërrohet në një provë të rëndësishme për diplomacinë e fuqive të mëdha.
Por mbetet e hapur pyetja nëse tre liderët do të arrijnë të prodhojnë zgjidhje për krizat ndërkombëtare, apo thjesht do të përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre mbi një botë ku vendimet e pak njerëzve prekin jetën e miliarda të tjerëve.


