Tragjedi në boks! 26-vjeçari humb jetën pas ndeshjes në ring

Sport

horr-640x360.jpg

Një tragjedi ka tronditur botën e boksit në Meksikë. Boksieri Arturo “Lobito” Torres, 26 vjeç, ka ndërruar jetë më 25 shtator, gjashtë ditë pasi zhvilloi ndeshjen e tij të fundit në ring kundër Gilberto “Torito” García.

Përballja u zhvillua më 19 shtator, në Parque Vicente Guerrero në Mexicali, në një duel të planifikuar për tetë raunde në kategorinë super të lehtë. Garcia arriti të marrë kontrollin e sfidës dhe në raundin e shtatë Torres pësoi një seri goditjesh.

boks-scaled.jpg

Gjendja e “Lobito” u përkeqësua dhe këndi i tij hodhi peshqirin për të ndalur përballjen. Pak çaste pas ndërprerjes së duelit, Torres u rrëzua në ring dhe humbi ndjenjat. Stafi mjekësor i dha ndihmën e parë përpara se boksieri të transportohej me urgjencë në spital.

Në spital, mjekët konstatuan një dëmtim të rëndë në tru, duke bërë të nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale. Pas operacionit, Torres qëndroi në koma të induktuar nën kujdesin e mjekëve, ndërsa familjarët dhe komuniteti i boksit shpresonin për një përmirësim të gjendjes së tij.

Por pas gjashtë ditësh luftë për jetën, familja konfirmoi lajmin tragjik: Arturo “Lobito” Torres ndërroi jetë më 25 shtator.

Torres e kishte nisur karrierën profesionale në vitin 2018 dhe, sipas raportimeve, zhvilloi 24 ndeshje si profesionist, me 15 fitore, 6 humbje dhe 3 barazime. Vdekja e tij ka shkaktuar reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga komuniteti i boksit në Mexicali.

Një ndeshje që duhej të ishte vetëm një tjetër kapitull në karrierën e tij, përfundoi në një tragjedi që ka lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe njerëzit e këtij sporti.

ME TE LEXUARAT