Policia riparon me shpejtësi pajisjen “Imsi-Catcher” që përgjonte politikanët!
Neni 124 i ligjit për Policinë e Shtetit përcakton se policia për të realizuar mbledhjen e të dhënave mund të përdorë bashkëpunimin e fshehtë me individë, regjistrimin me kamera në mjedise publike, vëzhgimin në mënyrë të fshehtë të personave dhe mjediseve si dhe pajisjet gjurmuese të vendndodhjes.
Policia po përdor tashmë shumë hapur pajisjen e shumë debatuar Imsi-Catcher, e cila u hetua kohë më parë nga prokuroria se përgjonte politikanë. Në atë kohë policia u justifikua se ishte pajisje trajnimi, ndërsa tashmë ajo përdoret në çdo kohë, sidomos gjatë “stinës së protestave të opozitës”.
Sipas dokumenteve që citohen nga VoxNews, Policia e Shtetit ka hapur me shpejtësi një tender me objekt “Suport teknik për DFPO”, me një fond limit prej 8.151.333 lekë pa TVSH, të ndarë në lote. Loti i parë ka një objekt “shërbim, support teknik i Njësisë së Përgjimit Ambiental”, me fond 1.568.000 lekë pa TVSH.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Siç duket edhe nga objekti, policia ka një njësi të tërë përgjimi, të cilën mund ta përdorë në çdo kohë. Por, a nuk përcaktohej në ligj se policia vetëm mund të bëjë gjurmime?! Kjo pikë ngelet shumë e diskutueshme, pasi tashmë çdo gjë bëhet me normalitetin më të madh, me justifikime për “luftën kundër krimit”, kur në fakt dhjetëra herë punonjës me uniformë kanë qenë pjesë e këtyre grupeve.
Loti i dytë i tenderit të policisë ka një objekt “shërbim, support teknik të pajisjes MSCAN”, me fond 1.750.000 lekë pa TVSH. Ndërkohë, që loti i tretë bën fjalë për pajisjen e shumë debatuar; “Shërbim, support teknik të pajisjes IMSI CATCHER”, me fond limit 4.833.333 lekë pa TVSH.
Por, shikoni pak afatin. Tenderi është hedhur në fund të muajit tetor, në muajin nëntor shpallet fituesi dhe firma ka një afat deri më 30 dhjetor 2024. Përse kjo ngutje e policisë? Për çfarë i do pajisjet e përgjimit në 2025-ën? Kujtojmë se viti i ardhshëm është vit zgjedhor, teksa në shumë raste opozita ka akuzuar mazhorancës se përdor rëndom policinë. Madje, akuza se “po përgjohen politikanë”. A të jetë edhe ky rasti?
Ligji i Policisë së Shtetit përcakton se policia vetëm gjurmon vendndodhjen. Po përse shërben pajisja e përgjimit në polici? Dhe, përse ka një Njësi Përgjimi në Policinë e Shtetit?
Në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim për pajisjen e përgjimit, të cilën s’e gjeti kurrë pasi u fsheh në selinë e një ambasade të huaj. Pajisja e quajtur Imsi-Catcher ka si funksion interceptimin e komunikimeve telefonike mes individëve të ndryshëm në një territor të caktuar. Në atë kohë policia e mohoi një pajisje të tillë, duke thënë se ishte vetëm për trajnim dhe nuk shërbente për përgjimet e politikanëve.
Zhvillimet e mëvonshme sollën edhe pezullimin nga detura të drejtorit të atëhershëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. Megjithatë, ashtu si shumë dosja të tjera, edhe kjo u arkivua dhe pezullimi i Çakos zgjati vetëm 2 javë dhe vetëm 3 vjet pas nisjes së hetimeve, dosja u pushua përfundimisht.
Tashmë, shumë vite pas këtij skandali, policia bën tendera për mirëmbajtje të një pajisje të tillë, të cilën e “fshehu” në atë kohë. Sipas policisë, pajisja vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio. Në shumë vende të botës përgjimi nga një pajisje e tillë ka shkaktuar debate, për shkak të shkeljes së privatësisë dhe është pasur me hartimin e ligjeve të rrepta/vox news