Të shprehesh me gjuhën e shenjave, mësuesit rrëfejnë vështirësitë me nxënësit që nuk dëgjojnë

Në një shkollë ku fjalët marrin jetë përmes shenjave, mësuesja Renata Zela ka ndërtuar prej 17 vitesh një lidhje të vecanë me nxënësit që nuk dëgjojnë. Me emocion mësuesja rrëfen rrugëtimin e saj të mbushur me kujtime të bukura.
“Gjithmonë me ka ngelur në mendje që largohesha nga qendra dhe të përqafojnë të tërë për të te thënë mirupafshim. Kur vjen në mëngjes të presin, vrapojnë për te te përqafuar. Vetë nxënësit janë ata që të mësojnë, të paktën për historinë time, mund të them që një pjesë te mirë të gjuhës së shenjave dhe komunikimit ma kanë ofruar nxënësit”, tha Renata Zela, mësuese.
Fëmijët vijnë në këto ambjente që në klasën e parë, për të qëndruar deri në përfundim të gjimnazit. Pas kaq shumë vitesh së bashku, për mësuesen pjesa më e vështirë është largimi i tyre.
“E kalon pjesën që ti je mësuese dhe duhet të bësh mësim. Largimi është i vështirë se fëmijët qëndrojnë shumë vite te ne”, shtoi Zela.
Në këtë qendër, kujdesi për nxënësit nuk përfundon me orën e mësimit. Drejtoresha e Qendrës Burimore për Nxënësit që nuk Dëgjojnë, Orjola idrizi, shprjegon se krahas mësimit atyre u sigurohet akomodim dhe një program aktivitetesh të ndryshme.
“Kemi laboratorin e estetikës, jemi aktualisht te sera didaktike, ku fëmijët marrin module profesionale si kopshtaria. Kemi edhe laboratorin e qeramikës”, tha Orjola Idrizi, drejtoresha e Qendrës Burimore për Nxënësit që nuk Dëgjojnë.
Për 39 nxënës është krijuar edhe mundësia që të ndjekin mësimin në distancë.
“Jam shumë e kenaqur të bëj me dije që kemi shtuar gamën e shërbimeve, do i ndjekim ata dhe mbështesim me edukim në distancë. Shkojmë në shkollat e zakonshme ku studiojne dhe edukohën fëjët me vështirësi në dëgjim”, tha Idrizi.
Aktualisht në këtë qendër janë regjistruar 69 nxënës. Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, drejtoresha përcjell një urim të veçantë me gjuhën që siç ajo thotë, flet me zemër.


