“Të bëjmë koalicion me studentët”, Mediu kërkon krijimin e një fronti të gjerë opozitar kundër Ramës

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu propozoi formimin e një koalicioni qytetar-politik, të thirrur nga protestuesit, si një front i përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane, Mediu vlerësoi protestën e të rinjve si shpresë për ndryshimin e vendit dhe kërkoi bashkimin e forcave politike.
“Ndërtimi i një koalicioni qytetar politik të thirrur nga protestuesit, studentët, pedagogët, pa asnjë përjashtim politik, si një front i qartë kundër korrupsionit, dhunës, pabarazisë dhe qeverisë së Edi Ramës dhe me një qëllim thelbësor, zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.
Gjatë fjalës së tij, Mediu përmendi dhe reformën zgjedhore, e cila sipas tij duhet të pasqyrojë ndryshime thelbësore nga e cila të mos përfitojë vetëm partia në fuqi.
“Ne nuk mund të bëhemi fasadë e një komisioni të reformës zgjedhore për të vazhduar axhendën e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës. Ne nuk mund të diskutojmë reformën zgjedhore pa zgjidhur së pari dy elementë të rëndësishëm që duhet të jenë prioriteti i kësaj reforme zgjedhore. E para, ndarja e shtetit nga krimi. E dyta, listat e hapura”, tha Mediu.
Sipas Mediut, bashkëpunimi politik dhe qytetar duhet të synojë rikthimin e besimit te institucionet dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.


