Takim sekret në Turqi për uljen e tensioneve, Siria dhe Hezbollahu zhvillojnë bisedime

Bota

Takim sekret në Turqi për uljen e tensioneve, Siria dhe Hezbollahu
Përfaqësues të qeverisë së re siriane dhe grupit libanez Hezbollah kanë zhvilluar një takim të fshehtë në Turqi, në përpjekje për të ulur tensionet mes dy palëve. Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, duke iu referuar gjashtë burimeve që kanë dijeni për bisedimet.

Ky është kontakti i parë i njohur ballë për ballë mes Damaskut dhe Hezbollahut që prej rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024. Takimi është zhvilluar gjatë muajit të kaluar dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësues të Hezbollahut, zyrtarë të inteligjencës siriane dhe përfaqësues të ministrisë së Jashtme.

Sipas burimeve, takimi u organizua me ndërmjetësimin e shërbimeve turke të sigurisë dhe inteligjencës, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Hezbollahu ishte një prej aleatëve kryesorë të regjimit të Bashar al-Assad dhe gjatë luftës civile dërgoi luftëtarë në Siri për të mbështetur forcat qeveritare.

Pas rrëzimit të Assadit dhe ardhjes në pushtet të forcave të reja, marrëdhëniet mes Damaskut dhe Hezbollahut u përkeqësuan ndjeshëm. Autoritetet siriane e kanë akuzuar grupin libanez për transportimin e armëve përmes territorit sirian. Bisedimet e zhvilluara në Turqi u fokusuan kryesisht në çështjet e sigurisë dhe në mënyrën se si mund të reduktohen tensionet. Sipas disa prej burimeve të Reuters, takimi ishte pozitiv dhe palët shfaqën gatishmëri për të shmangur përplasjet e drejtpërdrejta.

Një zyrtar sirian tha se të dyja palët ranë dakord se nuk kishin armiqësi ndaj njëra-tjetrës. Sipas tij, Siria e siguroi Hezbollahun se nuk kishte synim të ndërhynte ushtarakisht në Liban për ta çarmatosur organizatën. Në të njëjtën kohë, Damasku kërkoi nga Hezbollahu të ndihmonte në ndalimin e kont

rabandës së armëve përmes kufirit dhe në eliminimin e strukturave të mbetura të grupit në territorin sirian, veçanërisht në jug të vendit. Këto zhvillime vijnë pasi autoritetet siriane njoftuan arrestimin e një personi të dyshuar si pjesëtar i Hezbollahut, i cili, sipas tyre, po përgatitej të kryente një sulm me raketa në jug të Sirisë. Hezbollahu i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka prani ushtarake apo sigurie në territorin sirian. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, bisedimet kanë sjellë përparim në disa çështje të sigurisë, por nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare.

ME TE LEXUARAT